Duke sjellur fakte tepër shqetësuese, që kanë në duar organet greke të Rendit, gazeta prestigjioze “To Vima” e së dielës qarkullon me titullin se një grup keqbërësish, i përbërë nga dy grekë dhe një shqiptar, kanë vrarë dy anëtarër e “Agimit të Artë”, më 1 Nëntor të vitit të kaluar.

Sipas kësaj gazete, antiterrori grek ndodhet në gjurmët e dy shtetasve grekë dhe një shqiptari, pas zbulimit të disa tabulateve telefonike të bisedave të tyre, nga të cilat konkludon se ata kanë lidhje me vrasjen e dyfishtë të dy të rinjve neonazistë, jashtë zyrave të një dege të “Agimit të Artë” në një lagje të Athinës.

Bëhet fjalë për tre persona, që akuzohen edhe për akte të tjera të paligjshme, si vjedhje, tentativë vrasjeje dhe bastisje.

Policia greke përpiqet të gjejë lidhjet e tyre me elementë anarkistë të organizatës së ekstremit të majtë, “Forca popullore luftëtare revolucionare”, e cila mori përsipër këto dy vrasje. Nëse vërtetohet kjo lidhje – shton gazeta – do të jetë hera e parë, që do të kemi një lidhje kaq të fuqishme midis keqbërësve dhe guerrilasve anarkistë të qyteteve, ndërsa shtohet frika se do të ketë një rritje të sulmeve të një natyre të tillë.

Tashmë është fakt, që në Shqipërinë fqinje – vazhdon artikulli – Julian Sinanaj ka pohuar se është paguar nga një forcë politike e ekstremit të majtë, për vendosjen e një bombe në gjykatën e Selanikut, dhe se ka zbatuar disa kontrata vdekjeje ndaj një shpërblimi 25,000 euro për secilën.

Sipas “To Vima”, shpërthimet me eksploziv për ekzekutimin e politikanëve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal në Shqipëri; shtëpia ku jetonte Julian Sinanaj në lagjen “Redi” të Athinës, pamje të së cilës publikohen në gazetë; arrestimi i dy bashkëpunëtorëve të tij; lidhjet me keqbërës të tjerë në Greqi; dhe të dhënat nga 17 ekzekutime me kontrata vdekjeje, ende të pazbardhura në Greqi, janë pesë elementë të rinj që përpiqet të zbulojë policia greke.

Gjithsesi, theksohet se ekipi i ekspertëve grekë që ndodhej në Shqipëri, edhe për të hetuar të arratisurin e burgut të Trikallës, Ilir Kupa, është kthyer duarbosh nga Tirana, pasi organet shqiptare kanë kërkuar prej tyre aplikim për ndihmë juridike në hetimin e të arrestuarit Sinanaj.

Top Channel