Një nga televizionet e para private me kon çesion nacional në Maqedoni ka ftuar ditë më parë qytetarët maqedonas të dalin masivisht në votime nëse vendi përfshihet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryeredaktori i televizionit Sitel, Dragan Pavlloviç-Llatas, përmes një komenti në lajmet qëndrore ka thënë se maqedonasit me vota duhet t’i sigurojnë 62 mandate deputetësh partisë VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski, për të mos lejuar shqiptarët që të kushtëzojnë formimin e qeverisë së re, me zyrtarizimin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e vendit.

“Gruevski ka për detyrë që të marrë 62 deputetë ose më shumë, sepse në këtë rast BDI-ja nuk mund ta kushtëzojë VMRO-në dhe votuesit maqedonas me pretendimin se, nëse nuk pranohet dygjuhësia në tërë territorin e shtetit ata nuk do të hynë në qeveri, ose do ta rrëzojnë qeverinë nëse është formuar. Pra, nëse duam të flemë të qetë rreth ultimatumit grek dhe dygjuhësisë në të gjithë shtetin, duhet që fituesi të sigurojë shumicën e deputetëve për shkak të interesave maqedonase”, deklaroi Llatas.

Ky apel skandaloz i gazetarit maqedonas vjen disa ditë pasi partia e Ali Ahmetit, BDI, paralajmëroi se do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse kryeministri Gruevski nuk pajtohet me propozimin për një kandidat konsensual për president. Nga BDI thonë se apeli i gazetarit maqedonas thellon ndarjen mes komuniteteve në Maqedoni.

“Mendoj se thirrja për mobilizim etnik në njërën palë në mënyrë të paevitueshme do të sjellë mobilizim entik në palën tjetër dhe kjo është e natyrshme. Kjo nuk mendoj se është interes i vendit, u shtetit dhe i qytetarëve në këto kushte. Prandaj, jo rastësisht propozimi i BDI-së është për kandidat konsensual me të cilin do të zbutet klima parazgjedhore presidenciale dhe do të rritet integrimi dhe kohezioni i brendshëm në shoqëri”, ka thënë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Apelin skandaloz kundër shqiptarëve e ka dënuar edhe PDSH-ja opozitare, e cila e ka quajtur gazetarin maqedonas pinjoll të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç dhe ka thënë se thirrjet e tij të fundit janë vetëm një lojë me të cilën ai ndihmon BDI-në.

“Ky pinjoll i Millosheviçit duket se ka filluar t’i arsyetojë paratë e marra pikërisht nga BDI-ja. Këtij pinjolli të Millosheviçit, BDI përmes qeverisë i ka ndarë miliona euro para të shqiptarëve. Fatëkeqësisht ky pinjoll i Millosheviçit nuk është i vetëm”, deklaroi deputeti Bekim Fazliu.

Gazetari maqedonas Dragan Pavlloviç-Llatas, i cili edhe më herët ka shfaqur publikisht mosdurimin e tij ndaj shqiptarëve, ditë më parë është akuzuar nga partia maqedonase në opozitë LSDM, për përfshirje në një aferë financiare me qeverinë e Maqedonisë ku bën pjesë edhe partia shqiptare BDI.

Top Channel