Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanoviç, shprehu bindjen se vendi i tij mund të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO që në samitin e ardhshëm të aleancës, që do të mbahet në Shtator të këtij viti në Britaninë e Madhe.

Në një intervistë për “Radio Crne Gore”, kryeministri ritheksoi angazhimin e Podgoricës për të përmbushur të gjithë detyrimet e saj të anëtarësimit, por shtoi se jo gjithçka do të varet nga Mali i Zi.

Në deklaratën e tij, Djukanoviç paralajmëroi edhe ndërtimin e një autostrade nga Tivari në kufirin serb, nëpërmjet një financimi të siguruar nga investitorë kinezë.

“Tashmë kemi nisur studimin e fizibilitetit dhe shumë shpejt do të nisin punimet për ndërtimin e kësaj autostrade”, tha Djukanoviç, duke shtuar se pret që kjo vepër të ketë një ndikim të menjëhershëm pozitiv në rritjen ekonomike të Malit të Zi.

Kryeministri malazez shtoi gjithashtu se planifikon të shtrijë privatizimet edhe në sektorin privat, duke i dhënë kompanive të ndryshme toka shtetërore për krijimin e plantacioneve të kulturave të ndryshme.

Për momentin, Kroacia dhe Shqipëria janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor të anëtarësuara në NATO.

Top Channel