Edhe pse ministrat shqiptarë në Shkup e kanë të garantuar me ligj mundësinë për përdorimin e gjuhës shqipe në Kuvend, të martën, ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti ka zgjedhur gjuhën maqedonase, për të prezantuar para deputetëve projektligjin për ndryshimin e Kodit Penal.

“Në periudhën e kaluar, projektligji për ndryshimin e Kodit Penal ka qenë një nga temat më të përfolura në opinion. Për këtë ekzistojnë më shumë arsye. Më e rëndësishmja është mosekzistenca e politikës së njehsuar sanksionuese për lartësinë e dënimeve. Kjo është konfirmuar edhe nga hulimtimet e bëra në vitet e fundit, nga organizatat e huaja që veprojnë në Maqedoni”, tha Blerim Bexheti, ministër i Drejtësisë në Maqedoni.

Prezantimi i projekligjit për ndryshimin e Kodit Penal, nga ana e ministrit Blerim Bexheti në gjuhën maqedonase, ka shkaktuar reagimin e deputetëve të opozitës shqiptare, të cilët lëshuan akuza të rënda në drejtim të ministrave të BDI-së, në qeverinë e Shkupit.

“Fatkeqsisht, BDI-ja jo vetëm që nuk do ta zyrtarizojë gjuhën shqipe, këtë duhet ta harrojmë, por këta nuk e përdorin këtë gjuhë, edhe aty ku e kanë të drejtën e përdorimit të saj. Kjo është një dëshmi shtesë, se këta të BDI-së nuk kanë qenë aspak të interesuar për këto 10 vite, që ta zyrtarizojnë gjuhën shqipe dhe ta bëjnë atë gjuhë pune në këtë shtet. E dimë edhe atë, se pinjollët e Miloshevicit janë të interesuar dhe punojnë ditë e natë, që ta mbajnë në skenën politike BDI-në, për të mos e zyrtarizuar kurrë gjuhën shqipe”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Ky nuk është rasti i parë i anashkalimit të gjuhës amtare nga zyrtarët shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë. Një muaj më parë, zv/kryeministri për Çështjet Europiane, Fatmir Besimi, dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Tahir Hani, gjatë një takimi të përbashkët kishin zgjedhur gjuhën maqedonase për të komunikuar mes tyre.

Top Channel