Serbia vlerëson se arrestimet e serbëve në Kosovë mund të ndikojnë në cënimin e paqes. Ministri pa portofol për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksandar Vulin ka deklaruar se Serbia kërkon nga EULEX-i që atyre t’u mundësohet mbrojtja në liri.

Vulin ka konfirmuar se Dragoljub Dellibashiç ka qenë pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por prej kohësh është larguar nga kjo detyrë.

Vullin ka theksuar gjithashtu se EULEX-i duhet të respektojë rregullat e tij dhe të lirojë të arrestuarit. Megjithatë, siç ka vlerësuar ai, kjo nuk do të ndikojë në procesin zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, ndonëse pjesëmarrja mund të jetë më e vogël duke pasur parasysh që 23 shkurti është edhe dita kur ortodoksët shkojnë në varreza për të kujtuar të vdekurit.

Qeveria serbe edhe më parë ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe nga shefja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, që të ndikojnë për lirimin e politikanit Olliver Ivanoviç, që u arrestua javën e kaluar nën akuzën për krime lufte.

Por përgjigjia që zonja Ashton i ktheu Beogradit zyrtar pak ditë më parë ishte se ajo dhe Bashkimi Evropian në tërësi besojnë tek misioni EULEX.

Top Channel