Egjipt, Al Sisi në garën presidenciale

06/02/2014 00:00

Komandanti i ushtrisë egjiptiane, Abdul Fattah al Sisi ka deklaruar se
do të garojë për president, raporton një gazetë kuvajtiane.

I pyetur nga e përditshmja “Al-Seyassah” lidhur me këtë mundësi, numri një i ushtrisë tha se do të plotësojë dëshirën e popullit egjiptian dhe do të kandidojë në zgjedhje.

Ky nuk është një lajm i papritur, pasi pritjet që ai të garojë për presidencën janë të mëdha.
Gjithësesi, vetë ushtria e ka përgënjeshtruar informacionin e gazetës.

Lidershipi ushtarak shprehu mbështetjen për kandidaturën e tij muajin e kaluar, duke e ngritur edhe në gradën e marshallit. Zgjedhjet presidenciale në Egjipt pritet të mbahen brenda gjashtë muajsh.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se Al Sisi pritet të fitojë bindshëm nëse kandidatura e tij zyrtarizohet.

Ai është bërë një figurë shumë popullore në Egjipt që kur ushtria rrëzoi nga pushteti presidentin pro-islamik Mohammed Morsi korrikun e kaluar, pas protestave masive.

Zoti Morsi, presidenti i parë i zgjedhur në rrugë demokratike, aktualisht ndodhet në burgim dhe po përballet me katër procese gjyqësore të ndryshme.

“Unë nuk do t’a refuzoj kërkesën e popullit. Unë do ta bëj këtë për të rikthyer tek ata besimin tek vota e lirë”, deklaroi marshalli Al Sisi.

Top Channel