Qindra mjekë, infermierë dhe personeli i spitaleve të vendit, kanë marshuar në rrugët e Athinës drejt Parlamentit, në shenjë proteste ndaj projektligjit të ri, që votohej në Kuvend prej mëngjesit të së enjtes, të cilin ata e konsiderojnë si paralizues për sistemin shëndetësor në Greqi.

Sipas tyre, projektligji redukton vendet e punës në spitalet shtetërore dhe u jep fund shumë prej shërbimeve shtesë në këto institucione, me qëllim uljen e kostos.

“Ky projektligj i ri do të shkatërrojë kujdesin primar shëndetësor publik dhe, në thelb, do të krijojë një sektor shëndetësor privat. Unë kam punuar në sistemin shëndetësor kombëtar për 25 vjet si mjek dhe ata po na hedhin në rrugë brenda një nate”, tha për “Reuters” mjeku Theofrastos Tsakiris.

Mjekët e sektorit publik të shëndetësisë kanë rreth dy muaj që protestojnë, me anë të grevave të ndryshme për pushimet nga puna të kolegëve të tyre dhe mbylljen e disa klinikave shtetërore.

Sipas tyre, qeveria, me reformat e rrepta që zbaton, nuk i jep rëndësi kujdesit shëndetësor dhe si rezultat i këtyre politikave është ulur niveli i trajtimit mjekësor në spitalet publike të vendit, ndërkohë që edhe mijëra qytetarë të papunë nuk kanë sigurime shëndetësore dhe as parà për t’u drejtuar te spitalet private.

“E ardhmja për sistemin shëndetësor duket e zymtë dhe, për fat të keq, problemet do të përkeqësohen. Sa herë që janë bërë shkurtime në këtë sektor, pasojat kanë qenë të dukshme dhe tashmë do të përkeqësohet në një shkallë më të madhe”, tha infermierja Maria Milaka për “Reuters”.

Në fillim të vitit 2014, qeveria greke vendosi një tarifë prej 25 eurosh për këdo që do të kurohej në një spital shtetëror, masë që shkaktoi reagime të mëdha dhe Ministria e Shëndetësisë nuk mori guximin ta zbatojë.

Por, me gjithë protestat e mjekëve, projektligji i ri është miratuar në pasditen e së enjtes në Parlament, me 151 vota që ka mundur të mbledhë mazhoranca, vetëm një më tepër se gjysma e deputetëve, fakt që tregon edhe njëherë se sa e brishtë është qeveria e koalicionit të drejtuar nga kryeministri Samaras.

Top Channel