Tym, gurë, makina të djegura dhe përleshje me policinë nëpër qytete të ndryshme të Bosnjës. Zjarri ka kapluar ndërtesa të ndryshme, nga bashkitë e deri tek presidenca kantonale në Sarajevë.

Protestat e qytetarëve janë përshkallëzuar në qytetin Tuzla pas përleshjeve me policinë boshnjake dhe më pas protestuesit kanë sulmuar me gurë gjykatën. Situata u përkeqësua pasi u sulmua qeveria në Sarajevë.

Mediat raportojnë për ngjarje të ndryshme, plagosjen e më shumë se 100 personave, prej të cilëve shumica policë dhe përleshje të shumta në trazirat, që thuhet se shprehin pakënaqësinë me gjendjen e keqe ekonomike në Bosnje.

Kryeministri i kantonit të Tuzlës dha dorëheqjen në orët e pasdites. Demonstruesit u ngritën në protesta edhe në Mostar dhe zona të tjera. Aktivistët bashkuan flamujt e tri kombeve që përbëjnë Bosnjën, myslimanëve, kroatëve e serbëve.

Bosnja e Hercegovina viteve të fundit po përballet me një papunësi të madhe, ndërkohë që nuk ka bërë progres as në integrimet evropiane, pasi politikanët boshnjakë janë të përçarë. Bosnja ka 13 qeveri lokale, dy qëndrore dhe udhëhiqet nga tre presidentë.

Top Channel