Kujtim Sadriu, është kandidat i Partisë Liberaldemokratike të Cedomir Jovanovic. Ai thotë se partia e tij premton zhvillim ekonomik dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Nuk e ka parë të arsyeshme të inkuadrohet në parti shqiptare pasi mendon se kontributi mund të jetë më i madh.

‘Duke pasur parasysh që partitë shqiptare në Luginën e Preshevës nuk kanë unitet dhe nuk kanë prirje që të punojnë për interesa qytetare, por bëhet lufta për interesat personale dhe partiake”, thotë Kujtim Sadriu, kandidat nga Partia Liberaldemokrate.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë shkuar në takime në Tiranë, Prishtinë e Beograd dhe numri i delegacionit ka qenë gjithnjë më i madh. Tirana dhe Prishtina kanë kërkuar unitet. Burimet jozyrtare kanë thënë se kanë befasuar Ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati me arritjen në Tiranë në numër të madh dhe makina të ndryshme. As qytetarët e Preshevës nuk e dinë sa parti i kanë shqiptarët me një numër të vogël banorësh.

“Po këtu ka shumë parti. Numri diku tek 7-8 ndërsa në zgjedhje shtohen edhe 2-3 të tjera. Për numrin e popullsisë që kemi këtu, janë shumë. Katër në maksimum të cilat mund të kontribuojnë për popullatën dhe problemet jetësore që kemi ne në Luginë. Mendoj që Preshevës nuk i duhen shumë parti politike”, thotë ata.

Valon Arifi, aktivist i shoqërisë civile, thotë se liderët nuk i besojnë njëri-tjetrit.

“Vetë pjesëmarrja prej 11 anëtarë ne delegacionin e grupit të ashtuquajturit ‘Grup i Unitetit’ tregon në vetvete mosbesimin ndërmjet anëtarëve të atij grupi, duke pas parasysh pjesëmarrjen më të madhe se sa delegacioni i Kosovës në atë kohë në Rambuje”, thotë Valon Arifi.

Shqiptarët duhet të marrin vendim për përfaqësim unik në zgjedhjet parlamentare serbe, por në takimet e para qëndrimet kanë qenë të kundërta.

Top Channel