Drejtuesit e protestave në Bosnjë kanë paraqitur pesë kërkesa. Objektivi i tyre është “revolucioni politik”. Ata kërkojnë një qeveri rajonale në Tuzla, të përbërë vetëm nga ekspertë.

Të ardhurat e të gjithë politikanëve të orientohen te pagat mesatare në vend, të cilat janë në nivel shumë të ulët. Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore duhet të kthehet mbrapsht, politikanët e korruptuar dhe të tjerë “kriminelë të ekonomisë” duhet të nxirren para drejtësisë.

Qyteti industrial Tuzla në veri të Bosnje-Hercegovinës, të premten ishte qendra e dhunës. Njerëz të maskuar sulmuan selinë e administratës rajonale dhe i vunë zjarrin ndërtesës.

Mijëra demonstrues duartrokitën kur e panë ndërtesën të digjej në flakë dhe penguan punonjësit e zjarrfikësit në shuarjen e zjarrit. Një nga drejtuesit e protestave në Tuzla shprehu mllefin e protestuesve: “Kanë 25 vjet që nga vjedhin dhe shkatërrojnë të ardhmen tonë”.

Në kryeqytetin e vendit, Sarajevë, protestues të inatosur i vunë zjarrin një krahu të ndërtesës presidenciale. Nga flakët u shkatërruan pjesë të çmuara të arkivit të shtetit. Edhe një ndërtesë e administratës rajonale u përfshi nga flakët.

Dhjetëra mijëra vetë kanë dalë në rrugë në gjithë vendin ditët e fundit, për të protestuar kundër korrupsionit të lartë dhe politikanëve sipas tyre të paaftë.

“Trazirat nuk janë puç shtetëror por një goditje e popullit kundër mafias shtetërore. Këta janë fëmijët e prindërve që nuk kanë para për bukë”, tha ministri i Brendshëm, Fahrudin Radonçiç.

Demonstrime pjesërisht të dhunshme pati edhe në Zenica, Bugonjo, Cazin, Bihac dhe shumë qytete të tjera. Mitingjet dhe trazirat e ditëve të fundit janë më të mëdhatë që prej luftës së Bosnjes (1992-95).

Pjesë të gjera të popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme. Një në tre vetë është i papunë në Bosnje, vend me një popullësi prej 3.8 milionë banorësh.

Top Channel