“Liderët politikë në Bosnje kanë rastin të zgjidhin jo vetëm problemet ekonomike, por edhe ato politike”.

Kështu ka deklaruar të hënën shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, duke hyrë në selinë e Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel.

Për Ashton, dërgimi i trupave të mëtejshme për momentin është një hipotezë, por gjëja më e rëndësishme sipas saj është që lidershipi i Sarajevës të adresojë shqetësimet e njerëzve.

“Ka shumë liderë politikë në Bosnje dhe është koha që ata të tregojnë lidershipin e tyre”, ka thënë shefja e diplomacisë evropiane për mediat.

Javën e kaluar e gjithë Bosnja u përfshi nga protestat masive të qytetarëve, për shkak të varfërisë dhe papunësisë së lartë.

Gjatë protestave u verifikuan përleshje me policinë, hedhje gurësh dhe vënie zjarresh, që nuk kursyen as godinat qeveritare, nga bashkitë deri tek presidenca.

Situata u kthye në normalitet ditën e shtunë, ndërsa të dielën në mbarë vendin nisi pastrimi i shesheve nga mbeturinat e akumuluara.

Megjithatë, drejtuesit e protestave nuk e mbyllën me kaq dhe parashtruan pesë kërkesa ndaj pushtetarëve, me qëllim atë që ata e quajnë “revolucioni politik”. Disa nga kërkesat në fjalë ishin:

Të ardhurat e të gjithë politikanëve të orientohen te pagat mesatare në vend, të cilat janë në nivel shumë të ulët; privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore duhet të kthehet mbrapsht; politikanët e korruptuar dhe të tjerë “kriminelë të ekonomisë” të nxirren para drejtësisë.

Top Channel