Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë në Maqedoni ka kërkuar nga shoqatat e gazetarëve regjistrin e anëtarëve, për të përcaktuar shoqatën më të madhe të gazetarëve në vend.

Nga kjo, ministria do të emërojë anëtarët në Këshillin e Agjencisë për Shërbimet Audiovizuale dhe në Këshillin e Radio Televizionit të Maqedonisë.

Kryetari i Shoqatës së parë të gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani vlerëson se qëllimi i pushtetit është që në këto organe të emërojë anëtarët e një shoqate të përbërë nga gazetarë që i kontrollon dhe të anashkalojë përfaqësuesit e vërtetë të medias.

“Kjo është një përpjekje për të diskredituar kredibilitetin e shoqatës së parë të gazetarëve, për të frikësuar gazetarët dhe në një mënyrë për të na zmbrapsur që të mos luftojmë për të drejtat tona dhe për të promovuar lirinë e medias në Maqedoni”, deklaroi Selmani.

Selmani njoftoi se do të dorëzojë në qeveri vetëm numrin e anëtarërëve dhe jo të dhënat personale të gazetarëve, për t’i mbrojtur ata nga presionet eventuale.

“Arsyeja se pse nuk do të dorëzojmë emrat është Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili nuk  lejon që t’i ofrojmë të dhëna personale një institucioni shtetëror ndaj të cilit edhe nuk kemi besim”, nënvizoi kryetari i SHGM-së.

Ndërkohë, për të inspektuar situatën në media, në Maqedoni po qëndron përfaqësuesja e OSBE-së Dunja Mijatoviç, e cila përveç takimeve me gazetarët për lirinë e shprehjes do bisedojë edhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.

Top Channel