Mbrëmjen e së hënës, në afatin e fundit ligjor, në katër komunat e veriut të Kosovës janë zgjedhur kryetarët.

Kështu, kryetar i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut është zgjedhur Ksenija Bozhoviç, në Zveçan Darko Radovanoviç, që të dy nga Iniciativa Qytetare e Oliver Ivanoviç.

Në Zubin Potok është zgjedhur Nemanja Jakshiç, kurse në Leposaviç Zoran Todiç, këta nga Iniciativa Qytetare Srpska, që mbështetet nga Beogradi.

Mediat serbe raportojnë se mbledhja për kryesues të Kuvendit të Mitrovicës së veriut ishte e mbyllur për publikun dhe se ajo ka zgjatur rreth katër orë.

Ajo u mbikëqyr nga përfaqësuesit e Ministrisë së Pushtetit Lokal, OSBE dhe Zyra e BE-së në Kosovë. Po ashtu, në këtë mbledhje morën pjesë edhe këshilltarët e zgjedhur shqiptarë dhe boshnjakë, transmeton “Koha”.

Mesnata ishte afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesve të kuvendeve të këtyre komunave. Moszgjedhja do të çonte në përsëritjen e zgjedhjeve lokale për këto komuna.


Tahiri uron kryetarët e rinj

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri  u takua me kryetarin e komunës së Leposavicit Dragan Jabllanovic, kryetarin e komunës së Zubin Potokut Stevan Vulovic,  kryetarin e komunës së Zveçanit Vuçina Jankovic si dhe me përfaqësuesin e Asamblesë së komunës veriore të Mitrovicës, Milovan Krivokapic dhe i uroi ata për rezultatet e tyre në zgjedhjet lokale si dhe bisedoi për funksionimin e organeve komunale.

Ajo qartesoi hapat qe duhet te ndermerren per funksionimin e plote te punes se organeve komunale, sipas ligjeve te Republikes se Kosoves. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në veçanti vlerësoi njohjen e tyre me çështjet me të cilat ata ballafaqohen në komunat përkatëse. Ajo tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e inkurajuar nga vullneti i juaj për t’i trajtuar nevojat e qytetarëve të asaj pjese të vendit tonë dhe është e përkushtuar që të vazhdoj angazhimet dhe bashkëpunimin me të gjithë udhëheqjet e zgjedhura komunale të Kosovës.Ky takim i parapriu përgatitjeve për konstituimin e drejtimit të asambleve komunale, në të cilat zgjidhen kryesuesit e asambleve dhe organet tjera sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale të Kosovës.

Qeveria e Kosovës uron mbarëvajtjen e seancave të asambleve komunale të këtyre komunave për zgjedhjen e udhëheqjeve të asambleve që mbahen sot në orët e mbrëmjes, sipas ligjeve të Kosovës dhe brenda afateve ligjore. Ky do të jetë edhe një tjetër hap i rëndësishëm në drejtim të normalizimit të gjendjes në këtë pjesë të vendit në harmoni me standardet për sundimin e ligjit dhe demokracisë.Qeveria e Kosovës u bënë thirrje të gjithë udhëheqjeve komunale të porsa zgjedhur në Republikën e Kosovës që të ndjekin politikat që janë në dobi të qytetarëve dhe ne presim të punojmë së bashku me ta për të zbatuar këtë axhendë.
 

Top Channel