“T’i lëmë bankat të falimentojnë”

11/02/2014 00:00

“Është koha që të lëmë bankat e dobta të falimentojmë, nëse duam që të tjerat të jenë më të shëndetëshme”.

Deklarata është as më pak dhe as më shumë e Daniele Nouy, drejtore e Entit Mbikqyrës të Kreditimit në Eurozonë. Ajo thotë se ka ardhur koha që të pranojmë idenë se disa banka nuk kanë të ardhme dhe energjia e të ardhurat e shpenzuara për t’i shpëtuar ato, është e kotë.

Në një intervistë për “Financial Times”, Nouy thotë se Banka Qendrore Europiane duhet të jetë më e ashpër ndaj disa institucioneve financiare që kanë probleme me kapitalet e tyre dhe me investimet e keqmanaxhuara.

“Duhet të lejojmë zhdukjen në mënyrë të kontrolluar të disa bankave në mënyrë që këto të mos përpiqen të mbijetojnë duke u shkrirë apo ngatërruar në marrëveshje me institute të tjera financiare të kreditimit”, thotë ajo.

Jam e vetëdijshme, vijon Nouy,  që ky nuk është momenti më i mirë për ta bërë këtë, por megjithatë mundësitë ekzistojnë dhe disa vende janë duke e bërë këtë.

Për “Financial Times” deklaratat e saj janë këmbanë alarmi për udhëheqësit politikë në Bashkimin Europian, sidomos në Itali dhe Gjermani ku vështirë se drejtuesit e këtyre vendeve do të pajtohen me idenë që të shohin bankat e tyre të falimentojnë.

“Nuk e di sa banka mund të familmentojnë. Ajo që di unë është se kërkojmë nivelin më të lartë të cilësisë në këtë sistem. Pastrimi i sistemit bankar nuk do të jetë pa dhimbje, por për të patur një sistem të shëndetshëm, të sëmurët termale duhet të sakrifikohen”, thotë Nouy.

Qëndrimet e saj përputhen në disa pjesë me ato të kreut të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi i cili ka paralajmëruar se jo të gjitha bankat e Eurozonës do të kalojnë “stres testin” që po kryhet ndaj tyre.

Top Channel