“Gjykata Speciale për krimet e luftës në Beograd dënoi 9 prej 11 të akuzuarve për Masakrën e Qyshkut, dhe të fshatrave përreth në Pejë të Kosovës. 106 vjet ishte dënimi për të gjithë të akuzuarit që dëshmuan se kanë kryer vrasje mizore, kanë përdhunuar njerëz dhe kanë plaçkitur shqiptarët, me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova”.

Masakra e Qyshkut ndodhi në Maj të vitit 1999 dhe në të janë përfshirë edhe masakrat në fshatrat përreth, që kanë ndodhur në të njëjtën ditë.

Kanë qenë 124 shqiptarë të vrarë, pasi janë plaçkitur, përndjekur, si dhe është përdhunuar një e mitur. Në këtë masakër mbeti i vrarë edhe i ati i ish-komandantit dhe kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku.

Bruno Vekariç, zëvendësprokuror i Prokurorisë Speciale për krimet e luftës, tha se akuza do të ketë ankesa për nivelin e dënimeve, por – sipas tij – Prokuroria e ka dëshmuar se ka ndodhur krimi.

“Në secilin nga katër fshatrat kemi parë plaçkitje. Patriotizmi, për të cilën është folur atëherë, vetëm i ka bërë dëm popullit serb dhe e ka vënë Serbinë në shtyllën e turpit. Ky aktgjykim tregon që tashmë fryn një erë tjetër dhe ata që kanë përgjakur duart do të dënohen”, tha Bruno Vekariç.

Tre nga 11 të akuzuarit morën dënime maksimale prej 20 vjetësh, siç parashikohet me ligj për krimet e luftës, ndërsa dy prej tyre u liruan.

Prokuroria e vlerësoi si një gjykim mjaft të vështirë, pasi dy shtëpitë lundruese në lumin Danub, të dëshmitarit të mbrojtur, u dogjën mëngjesin e së martës, në Beograd, dhe presioni ishte i madh. Procesi gjyqësor përfshiu mbi 100 dëshmitarë dhe trupi gjykues vlerësoi se masakra është kryer nga formacione të rregullta policore-ushtarake.

Mustafa Radoniqi, avokat i familjeve të viktimave, tha se është i kënaqur me vendimet.

“Aspak nuk është e rëndësishme se sa janë dënimet. Me rëndësi është shpallja se kjo masakër ka ndodhur me planin e shtetit. Se shteti i Serbisë ka pasur për qëllim të pastrojë Kosovën prej shqiptarëve. Ky është qëllimi, që gjykata sot shpalli dhe që e vërtetoi”, tha Mustafa Radoniqi, avokat mbrojtës.

Avokatët e të akuzuarve thanë se dënimet ishin me motive politike, ndonëse gjyqi ishte i prerë me faktet që kishte.

“Këtë mund ta lidh me ngjarjet e tanishme politike, me marrëveshjen e Brukselit, por për klientin tim nuk ekzistojnë dëshmi që ka kryer krime”, tha Goran Petronijeviç, avokat i të akuzuarve.

Qyshku është gjykimi i tretë për Kosovën në Serbi, ku të akuzuarit janë serbë dhe viktimat shqiptarë.

“Ky është gjykimi më i madh për masakrat e kryera në Kosovë, madje edhe në rajon. Ka mbetur që të bëhen ankesat nga avokatët, teksa nga mbrojtja e viktimave kërkohet pasja e dëmshpërblimeve”.

Top Channel