Ministri i Brendshëm grek, Yannis Mihelakis,njoftoi pasditen e së mërkurës se ka paraqitur në Parlament një projektligj, i cili parashikon mundësinë e lejimit të emigrantëve që jetojnë në Greqi, të zgjedhin dhe të zgjidhen në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat do të zhvillohen më 18 dhe 25 Maj të këtij viti.

Sipas informacioneve nga kjo ministri, projektligji u mundëson emigrantëve të drejtën e votës.

Ky vendim duket se ka gjetur mbështetjen e të gjithë spektrit politik grek, me përjashtim të partisë naziste “Krisi Aygji” dhe të djathtës konservatore të “grekëve të pavarur”.

Mësohet se në draftin ligjor, të përgatitur enkas për zgjedhjet lokale, parashikohen dispozitat ligjore dhe kriteret, që duhen të plotësojnë emigrantët për të votuar në Greqi.

Ky zhvillim vjen pas reagimeve të ashpra të së majtës greke, ku ndër zërat më të fortë në mbështejte të kësaj të drejte themelore rreshtohet ish-kryeministri, Jorgos Papandreu, dhe një sërë figurash politike vendase.

Nëse miratohet, ligji do t’u mundësojë votën mijëra emigrantëve, që jetojnë në mënyrë të ligjshme në shtetin helen, si dhe plotëson një kërkesë të hershme të emigrantëve atje.

Një vit më parë, ka qenë Gjykata Supreme greke, që rrëzoi ligjin për shtetësinë, ose të quajtur ndryshe “ligji ragushi”, i cili mundësonte të drejtën e votës dhe të shtetësisë greke për mijëra emigrantë.

Hapi i ministrit të Brendshëm është përshëndetur prej shoqatave të emigrantëve dhe opinionit publik grek.

Top Channel