Greqia ka humbur edhe 14 vende të tjera përsa i përket klasifikimit të saj në raportin për lirinë e shtypit që ka publikuar organizata “Reporterët pa Kufij” për vitin 2014.

Ajo tashmë ndodhet në vendin e 99, vetëm pak pikë më lartë se Bullgaria, me një diferencë të madhe nga vendet e tjera të BE-së.

Shkak për këtë rënie sipas raportit është mbyllja e televizionit shtetëror ERT, si dhe pasiguria e gazetarëve, si në mbulimin e protestave të ndryshme ashtu edhe të sulmeve nga militantë të partisë neonaziste Agimi i Artë.

Në referimin që bën “Reporterët pa Kufij” deklarohet se qeveria greke e kryeministrit Samaras, nën pretekstin e shkurtimit të shpenzimeve ka marrë një vendim të papreçedent për vendet e BE-së. Nën presionin e trojkës ai ka mbyllur televizionin shtetëror që dispononte 4 kanale televizive dhe 5 radiofonike.

Mbyllja e tij dhe sinjali i zi më pas la pa gojë gjithë Europën dhe botën dhe vetëm pas presionit ndërkombëtar Athina zyrtare shpalli krijimin e një televizioni të ri publik, por shumë më të vogël përsa i përket numrit të gazetarëve dhe personelit teknik.

Raporti thekson gjithashtu pasigurinë e gazetarëve përgjatë mbulimit të demonstratave, ku ata shpesh herë bien viktima jo vetëm nga protestues që i akuzojnë ata se bashkëpunojnë me qeverinë, por edhe nga vetë policia.

Kjo gjendje është përkeqësuar edhe me rritjen e fuqisë së neonazistëve, pasi shumë anëtarë dhe përkrahës të saj kanë rritur kërcënimet edhe me vdekje ndaj disa gazetarëve vendas e të huaj.

Greqia ka humbur 50 vende në listën e organizatës nga viti 2007, moment kur filloi dhe reduktimi i numrit të mediave televizive dhe atyre të shtypit, pasi shumë biznesmenë investuan fitimet e tyre në fusha të tjera të ekonomisë, duke hedhur në rrugë një numër të konsiderueshëm gazetarësh.

Gjithashtu, filloi të regjistrohet një rënie e paparë e shitjeve të përditshme e gazetave si dhe e parave të investuara për reklama si rezultat edhe i zërave të krijuara, se mediat greke kishin arritur tashmë një shkallë të jashtëzakonshme korruptimi me qarqe të ndryshme të politikës dhe biznesit në vend.

Top Channel