Facebook, gjinia tashmë më e specifikuar…

14/02/2014 00:00

Facebook ka njoftuar lejimin ndaj përdoruesve të tij, që të modifikojnë gjininë e tyre, pasi stafi është konsultuar mbi këtë çështje me grupet e mbrojtjes së të drejtave të gay-ve dhe transeksualëve.

Gjinia, që deri më dje ka qenë vetëm me dy zgjedhje (mashkull, femër), tashmë do të përfshijë edhe “biseksualët”, “transeksualët”, “androgjenët” (hermafroditët) dhe “tranvestitët”, duke u lejuar njerëzve të “shprehen në një mënyrë autentike”, bëri të ditur Facebook përmes një postimi.

Përdoruesit mund të zgjedhin gjithashtu nëse dëshirojnë t’u referohen me “ai”, “ajo”, apo “ata/ato”. Opsionet e reja do të jenë fillimisht për ata që përdorin faqen e rrjetit social në gjuhën angleze. Këto emërtime u formuluan pas konsultave me 5 organizata lidere për mbrojtjen e të drejtave të gay-ve dhe transeksualëve, bëri të ditur Facebook.

“Do të ketë shumë njerëz, për të cilët kjo risi nuk do të nënkuptojë asgjë, por për disa të tjerë, në pakicë, ky do të ketë një impakt të madh”, tha inxhinierja e Facebook, Brielle Harrison, për “Associated Press”.

“Për herë të parë kam mundësinë të futem në faqe dhe të specifikoj ndaj njerëzve që njoh, se cila është gjinia ime, ndërkohë që këtë gjë mund ta bëj edhe vetëm për disa persona, ndaj të cilëve dua ta shohin këtë gjë”, tha ajo.

Lëvizja reflekton influencën e madhe të lëvizjeve në mbrojtje të transeksualëve në SHBA, që kërkojnë të drejta civile të barabarta edhe për komunitetin e gay-ve.

Qendra Ligjore për Transeksualët, me bazë në San Francisco, mirëpriti këtë risi, duke thënë se “shumë transeksualë do të ekzaltohen” nga ky lajm.

Me përafërsi, në një raport të publikuar nga Instituti Williams në vitin 2011, thuhej se rreth 3% e të rriturve në SHBA janë transeksualë, diku te 700,000 njerëz.

Top Channel