Dita e të dashuruarve është shndërruar në një ditë festive globale e vendosur thuajse në cdo kulturë. Shumë kultura e kanë mirëpritur atë, në të tjera vazhdon rezistenca në formë proteste.

Në Kinë kjo ditë është pritur nga shumë të dashuruar me celebrime masive martesash dhe lojëra të ndryshme, aq më tepër që këtë vit Shën Valentini përkoi me “Festivalin e Dritave”, i njohur ndryshe si Shën Valentini kinez.

Rreth 900 çifte i thanë ‘po’ njëri-tjetrit në Malajzi, ndërsa në Tajlandë, 26 çifte të dashuruarish vendosën rekordin Guinnes duke qëndruar për plot 26 orë e 26 minuta e 26 sekonda të përqafuar.

Pakistani, India dhe Indonezia u përballën me 2 anët e medaljes, celebrimet festive të disave dhe protestave të të tjerëve. Islamabadi ishte i mbushur me sende simbolike të ditës së dashuruarve, ndërsa në sheshe dhe rrugë dhjetra persona protestuan kundër kësaj dite, duke pretenduar se ajo bie ndesh me mësimet e islamit.

Po kështu edhe në Indonezi. Në tregje shiteshin tufa lulesh me ngjyra të ndezura, ndërsa nuk munguan protestat e radikalëve fetarë, ndërsa në Indi, aktivistët hindu protestuan kundër kësaj feste duke e cilësuar si ‘hyrje anti-kulturore’.

Protesta pati edhe në Tajvan, por jo kundër Shën Valentinit. Dhjetra cifte homoseksuale u mblodhën para Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkuan legalizimin e martesave gay.

Top Channel