Eurozonë, rritje modeste ekonomike

14/02/2014 00:00

Ekonomia e Eurozonës ka pësuar një rritje me 0.3% në tre muajt e fundit të vitit 2013, krahasuar me 0.1% në tremujorin e mëparshëm. Ky është tremujori i tretë i rritjes ekonomike që prej përfundimit të reçesionit 18-mujor që përfshiu zonën e monedhës së përbashkët.

Shifrat i referohen 17 prej ekonomive të Bashkimit Europian, sepse Letonia u be anëtari i 18-të në muajin janar. Në të gjithë Bashkimin Europian, me 28 anëtarë, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, rritja ekonomike për periudhën nga tetori në dhjetor ishte 0.4%.

Shifrat e publikuara nga EUROSTAT, zyra e statistikave të BE-së, tregojnë se gjatë vitit 2013, Produkti Kombëtar Bruto u rrudh me 0.4% në Eurozonë, por u rrit me 0.1% në Bashkimin Europian.

Më herët, shifrat e publikuara nga qeveria franceze treguan se ekonomia e vendit u rrit me 0.3% në tre muajt e fundit të vitit 2013. Ekonomia e Gjermanisë gjithashtu shënoi rritje gjatë periudhës tetor-dhjetor.

Duke iu referuar zyrës federale të statistikave, DESTATIS, Produkti Kombetar Bruto u rrit me 0.4% në tremujorin e fundit te 2013-s, ndërsa në tremujorin e mëparshëm shënoi një rritje me 0.3%. DESTATIS nënvizoi se:

“Këto shifra janë rezultat i eksporteve dhe investimeve të kapitalit, por sinjalet janë kontradiktore sa i takon kërkesës së brendshme, me një rënie të shpenzimeve familjare”.

Ndërsa zyra e statistikave në Itali publikoi shifrat, të cilat dëshmojnë se ekonomia e vendit i është kthyer rritjes pas dy vjetë reçesion.

Top Channel