Ngecin bisedimet, OKB kërkon falje

15/02/2014 00:00

Dështimi i radhës në Gjenevë e ka detyruar të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi t’i kërkojë ndjesë popullit sirian, atij që përballet me peshën kryesore të konfliktit të dhunshëm trevjeçar.

Brahimi bëri dhe një përpjekje të fundit për kapërcimin e ngërçit të krijuar mes përfaqësuesve të qeverisë dhe atyre të opozitës, duke zhvilluar takime të veçanta me të dyja palët. Por as kjo tentativë e diplomatit veteran nuk arriti të prodhonte progres.

I palëkundur në qëndrimin e tij është shfaqur këtë herë delegacioni qeveritar, i cili refuzoi përsëri diskutimet mbi krijimin e një ekzekutivi të përkohshëm. Diskutimet zgjatën vetëm 27 minuta. Me një pamje të lodhur, Brahimi iu drejtua reporterëve me një apologji për popullin sirian.

“Më vjen shumë, shumë keq dhe i kërkoj ndjesë popullit sirian, pritshmëritë e të cilit ishin tepër të larta se këtu do të ndodhte vërtet diçka. Mendoj se ajo pak gjë që u arrit në Homs u dha shpresë se ai mund të ishte fillimi i rrugëdaljes nga kriza e tmerrshme që i ka mbërthyer. Unë u kërkoj falje që në këto dy raunde nuk arritëm t’i ndihmojmë edhe aq shumë”, deklaroi Brahimi.

Mbi 140.000 jetë të humbura që prej marsit 2011 dhe rreth 9.5 milionë të zhvendosur e bëjnë konfliktin sirian një plagë që duhet mbyllur sa më parë. Brahimi përcolli më herët zotimet e zyrtarëve rusë dhe amerikanë se do të përpiqen me të gjitha mënyrat për zhbllokimin e situatës.

Dy javë më parë, delegacionet në Gjenëve të paktën i paraqitën në tryezë këndvështrimet e tyre, edhe pse të kundërta, dhe diskutuan mbi hapa konkretë si armëpushimet e mundshme apo shkëmbimet e të burgosurve. Tani ato nuk bien dot dakord as për axhendën e diskutimeve.

Në këtë situatë, e shumta që Kombet e Bashkuara mund të shpresojnë është marrja e një zotimi se palët do të rikthehen në Zvicër për negociata të mëtejshme. Por pas dy raundeve të mëparshme thuajse aspak produktive, shumë sirianë e shohin tashmë një angazhim të tillë si të pakuptimtë.

Nga Kalifornia, ku u takua me Mbretin Abdullah të Jordanisë, presidenti amerikan Barack Obama njoftoi se po shqyrton mundësinë e rritjes së presionit ndaj Bashar al-Assad. Zoti Obama nuk sqaroi se për cfarë hapash bëhet fjalë dhe a është në tryezë e shqyrtimeve ndërhyrja ushtarake.

“Do të ketë disa hapa të ndërmjetëm që do të ndërmerren për të vendosur më shumë nën  presion regjimin e Assad dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët në përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike”, tha presidenti amerikan.

Top Channel