Rreth 40 nxënës dhe profesorë shqiptarë janë helmuar në shkollën e mesme Ekonomike të Gostivarit mbrëmjen e së premtes.

Nga informacionet e para dyshohet se një person i panjohur ka hedhur një lloj gazi helmues, i cili ka ndikuar rëndë tek nxënësit dhe profesorët. Gazi është hedhur pasdite vonë, në turnin e dytë, kur vijojnë mësimet nxënësit shqiptarë.

“Tek nxënësit dhe profesorët për një moment u paraqit kollitje, probleme me frymëmarrjen, lotim, djegie në hundë dhe fyt. Kështu që ndërhymë duke i nxjerrë të gjithë nxënësit në oborrin e shkollës”, ka deklaruar Kasam Kasami, nëndrejtor i shkollës.

Për shkak të gjendjes së rënduar 12 nxënës nga Spitali i Gostivarit janë dërguar në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup, për ndihmë mjekësore.

“Bëhet fjalë për nxënës të moshës 18-vjeçare dhe ka disa profesorë. Të gjithë janë me lëndime të lehta, deri tani nuk kemi persona të prekur rëndë dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje intensive. Megjithatë, ne do t’i mbajmë në spital deri sa të shërohen”, ka thënë Andon Xhibishev, drejtor i Toksikologjisë.

Nxënësit e shtruar në Klinën e Shkupit janë vizituar nga kryeministri Gruevski dhe ministrat shqiptarë në kabinetin e tij. “Në bazë të informacioneve që kam marrë nga mjekët dhe drejtori i spitalit, të prekurit nuk janë në rrezik jete”, ka deklaruar zv.ministri i Arsimit, Safet Neziri.

Në Spitalin e Gostivarit ka qëndruar ndërkohë zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili, i cili  ka thënë se policia ka disa persona të dyshuar për këtë rast.

“Për momentin nuk mund të spekulojmë. Si polici jemi duke punuar për zbardhjen e rastit. Kemi disa persona të dyshuar dhe më vonë do të dalim me të dhëna më konkrete”, ka sqaruar Qamili.

Nga helmi thuhet se është prekur edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzad Bejta, i cili ka thënë se helmimi i nxënësve dhe profesorëve është një vepër çnjerëzore.

Top Channel