Zoran Jankoviç, kryetar i bashkisë së Lubianës dhe eksponent i rëndësishëm i së majtës sllovene, është mes personave të përfshirë në një hetim për korrupsion.

Jankoviç është futur në regjistrin e personave nën hetim sepse dyshohet se ka marrë ryshfete me një vlerë prej 250 mijë euro në cilësin e kryebashkiakut të kryeqytetit.

Ka qenë vetë Jankoviç që një ditë më parë ka konfirmuar se ndodhet nën shënjestrën e hetuesve dhe në të njëjtën kohë është shprehur se nuk ka dijeni për gjërat për të cilat akuzohet.

Bëhet fjalë për donacione të shumta të kryera nga kompani dhe sipërmarrës, por që sipas hetuesve kanë qenë në fakt “tangjente” të imponuara nga qytetari i parë i Lubjanës.

Mes personave të tjerë të përfshirë në hetim është zyrtarisht edhe Mihael Karner, biznesmen që kërkohet edhe nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara për shitje ilegale të steroidëve.

Hetuesit e policisë gjyqësore që po kryejnë hetimet kanë deklaruar se i gjithë procesi vërtitet rreth rasteve të ndryshme për korrupsion dhe abuzimi me anë të detyrës, që kanë çuar në dëme financiare ndaj shtetit që arrijnë deri në 3.8 milionë euro.

Top Channel