Qindra dibranë kanë protestuar në Shkup kundër devijimit të rrjedhës normale të lumit Radika. Protestuesit i kanë bërë thirrje qeverisë së Shkupit që të heqë dorë nga projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Fushë të Lukovës.

“Ne i themi Gruevskit që ky është një projekt politik dhe jo projekt ekonomik. Këtë projekt as mos ta fillojë. Edhe Banka Botërore nuk duhet të jetë kundër qytetarëve të Dibrës, nuk ka asnjë dibran që e mbështet këtë projekt”, ka deklaruar Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit të Komunës Dibër.

Dibranët nuk i besojnë premtimeve të zyrtarëve në Shkup dhe Tiranë se projekti për ndërtimin e hidrocentralit nuk do të realizohet.

“Qeverive nuk iu besoj fare. Nuk iu besoj as ekspertëve për të cilët flet qeveria maqedonase. Ne do të protestojmë deri sa ky projekt të marrë fund një herë e përgjithmonë. Nuk do të lejojmë që ky projekt të vazhdojë”, ka thënë Munir Hoxha, qytetar nga Peshkopia.

Protestat janë mbështetur edhe nga disa organizata qytetare maqedonase nga Shkupi. “Ky është problem i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, sepse duke shkatërruar florën dhe faunën shkatërrohet një pasuri e veçantë që ka vendi. Prandaj mendoj se protesta për mbrojtjen e Radikës është një ngjarje e rëndësishme që duhet mbështetur nga të gjithë”, ka komentuar gazetari Branko Gerovski.

Më herët, kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrat shqiptarë në kabinetin e tij premtuan se hidrocentrali në Fushë të Lukovës nuk do të ndërtohet nëse me të dëmtohet ambienti jetësor në rajonin e Dibrës.

Top Channel