Ettore Sequi në “E diell në TCH”

16/02/2014 00:00

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, ka qenë i ftuari i radhës në “Tet a tet”, rubrikën e së dielës, në emisionin “E diell në TCH”.

Arbana Osmani: Të dielat tuaja janë të qeta, apo të mbushura me takime?

Ambasadori, Ettore Sequi: Nuk ka të diela normale, zakonisht luaj tenis, por të dielat janë ditë pune, takimesh, dhe shpesh shoh edhe televizor.

Arbana Osmani: Jeni mik i shqiptarëve. Kthehemi në ditën e parë kur keni zbritur në Rinas. Cfarë kujtoni dhe kë keni takuar në atë ditë.

Ambasadori, Ettore Sequi: Ishte 3 prilli i vitit 2000. Ishte një aeroport i qetë, edhe në pistë dhe kujtimi i parë që më vjen në mendje ishte oficeri i aeroportit. Më pas, ishte një ditë me shi dhe duke qenë se unë jetoj në bllok më kujtohet që jam kthyer në shtëpi i lagur tërësisht.

Arbana Osmani: Opinioni juaj për shqiptarët, pasi tashmë jeni njohur me shumë prej tyre.

Ambasadori, Ettore Sequi: Për shqiptarët mund të them se është një popull bujar dhe me shpirt të gjerë. Janë njerëz të gjallë e aktivë. Sa i përket gjërave negative, mund të them se është e vështirë të them dicka specifike. Më duket një popull me karakteristika të ngjashme me sardët, pasi unë jam nga ky komunitet i Italisë.

Arbana Osmani: Lidhjet dhe të përbashkëtat me sardët?

Ambasadori, Ettore Sequi: Mendoj se mikpritja dhe kujtesa shumë e gjatë. Shqiptarët nuk harrojnë kollaj…

Arbana Osmani: Tirana, iu duket tashmë një qytet i sigurt, a ndiheni mirë këtu?

Ambasadori, Ettore Sequi:
Po, ndihem tepër i sigurt, kam lëvizur në këmbë shpesh herë, ngas makinën vet, pa nevojën e shoferëve personalë. Më duket një qytet i qetë dhe me siguri të lartë.

Arbana Osmani: Çfarë iu bën më shumë përshtypje këtu?

Ambasadori, Ettore Sequi: Eh, ka shumë gjëra, por do të thoja gjuhët e huaja. Gjuha në fakt, është dicka që u jep të rinjve rrugëdalje profesionale, për të gjetur një zgjidhje më të mirë në karrierën e tyre. Komunikimi është një gjë tepër e rëndësishme dhe kam vënë re se shqiptarët janë shumë të aftë për të mësuar gjuhë të huaja.

Arbana Osmani: Sa i përket politikanëve, a keni ndonjë të preferuar dhe jo të preferuar?

Ambasadori, Ettore Sequi: Ju keni politikanët që keni zgjedhur vet. Mendoj se mosha nuk është përcaktuese nga vitet që njeriu ka, por nga shpirti që ka ai person. Kush kërkon të jetojë në mënyrë intensive dhe të ketë ide të reja, besoj se ia vlen të punojë edhe në moshë të madhe. Mosha e re e shqiptarëve më lë të kuptoj dhe të shpresoj se këtu do të ketë zhvillime pozitive në të ardhmen.

Arbana Osmani: Keni qenë në Afganistan, cfarë kujtimesh iu ka lënë ky vend?

Ambasadori, Ettore Sequi: Kam qenë për 6 vjet në Afganistan dhe ajo që më ka mbetur është lufta dhe brishtësia e jetës atje. Atentatet ishin të pashmangshme, një prej të cilëve më ka rrezikuar edhe mua jetën. Ndaj dhe besoj se nga gjithcka që kam kaluar atje, kam mësuar se ne duhet të bëjmë gjithcka për të ruajtur dhe mbrojtur jetën. Kam shumë miq andej, por duke qenë se kam parë të vriten njerëz, ndër të cilët fëmijë e gra, besoj se ka shumë për të mësuar nga ajo eksperiencë.

Arbana Osmani: Si e përballoni dhimbjen, teksa keni parë ngjarje të ndryshme…

Ambasadori, Ettore Sequi:
Dhimbja është një ndjenjë që prek cdo njeri, në aspekte të ndryshme. Pozitivja është se cdo dhimbje të bën edhe më të fortë për të ardhmen. Por e keqja është dhimbja që u shkaktohet të tjerëve. Këtu besoj se është vendi për të bërë më shumë, për të mos u shkaktuar dhimbje të tjerëve, por për t’i ndihmuar në cdo lloj mënyrë për të pasur një jetë sa më të qetë dhe në paqe.

Arbana Osmani: Cila është dhimbja më e madhe me të cilën janë përballur shqiptarët?


Ambasadori, Ettore Sequi:
Kam parë disa ngjarje të dhimbshme këtu. Por mbi të gjitha mund të them se më ka mbetur mendja te dhimbja e fëmijëve të mbyllur nëpër shtëpia, duke mos iu lejuar shkollimi dhe jeta e lirë dhe demokratike. Kam parë shumë fëmijë që kanë rënë pre e hakmarrjes dhe gjakmarrjes, e ardhmja e tyre tashmë është e vjedhur dhe më vjen mirë për të gjitha informacionet që kam, mbi ata që kanë bërë përpjekje për t’i ndihmuar ata.

Arbana Osmani: Sa i përket djalit tuaj, meqë erdhëm te fëmijët?

Ambasadori, Ettore Sequi: Me djalin bisedoj shpesh, por jam larg nga ai. Di të them që atij i pëlqen shumë të vijë këtu në Tiranë dhe ka mendim të mirë për shqiptarët. Pavarësisht se jam diplomat karriere, besoj se marrëdhëniet njerëzore me familjen time janë kultivuar ditë pas dite. Më vjen keq që, për fatin tim të keq, e kam lënë pas dore djalin tim, megjithatë me kalimin e kohës jam bërë më i vëmendshëm për problematikat që lindin nga ky profesion dhe tashmë mendoj se duhet të bëj më shumë për të.

Arbana Osmani: Para dy ditësh ishte Shën Valentini…

Ambasadori, Ettore Sequi:
Është një vëmendje e madhe për të festuar Shën Valentinin, por mendoj se kremtimi i saj duhet bërë ditë për ditë. Kultivimi i saj duhet të jetë mes nesh në cdo ditë të jetës, jo vetëm 1 ditë në vit. Besoj ngushtësisht se duhet të angazhohesh për dashurinë e përjetshme, mund të ndodhë nëse njeriu përpiqet për këtë ndjenjë. Sa i përket dashurisë në rini apo në moshë të pjekur, secila ka karakteristikat e veta, por duhet gjithmonë të dashurojmë.

Arbana Osmani: Ditëlindjet tuaja i kaloni me miq, me shoqërinë, shuani qirinj…?

Ambasadori, Ettore Sequi: Më kujtohet një ditëlindje kur gjendesha në Afganistan. Nuk kam mundur ta festoj, pasi atë ditë ndodhi një atentat dhe një ushtar italian u nda nga jeta. Duke qenë se gjithnjë në jetën time ka pasur një paparashikueshmëri të madhe, kam pasur ditëlindje të ndryshme dhe shpesh herë jo të festuara ashtu sic do të doja. Ju falemnderit për suprizën e bërë, veçanërisht sepse Marsela (Çibukaj) është ndër këngëtaret e preferuara të mia.

Arbana Osmani: Ju i ndiqni edhe aktivitetet artistike në vendin tonë.

Ambasadori, Ettore Sequi: Mendoj se është dicka normale, pasi kam dëshirë të njoh më shumë vitalitetin e jetës në Tiranë, por edhe në Shqipëri. Ky vend ka artistë të mëdhenj, ka të shumëllojshëm, e që nëse do të bëja një listë do të ishte tepër e gjatë. Ekziston një jetë me pozitivitet të madh dhe unë nuk dëshiroj që të humbas nga kjo karakteristikë e Shqipërisë, duke qëndruar vetëm në zyrën time.

Arbana Osmani: Është e vërtet se dini edhe rrotullime të tjera? (Pas videos në emisionin ‘Një mijë e një pse’)

Ambasadori, Ettore Sequi: Një kujtim i këndshëm, nuk e kam parë se sa klikime ka marrë ajo video në Youtube, por… kam qenë një balerin në fakt dhe ai rrotullim ka qenë dëfryes, ashtu si dhe emisioni ku unë u ftova atëherë. Doja të bëja dicka argëtuese për ata fëmijë, por ai ishte rrotullimi më i thjeshtë…

Top Channel