Slavica Mihajloviç, dikur infermiere, nuk e besonte se lufta në Siri do të mund t’i sillte ndonjë gjë të mirë.

Para katër dekadash, në Gjilan të Kosovës kishte takuar një mjek sirian, nga grupi i studentëve të vendeve arabe, që studionin në Jugosllavi.

Pas martesës do të lindnin Amiri dhe Amira. Por, në vitin 1977, Omar al Nasser, pas divorcit, do të merrte fëmijët dhe do të arratisej në vendlindje.

Nëna ka takuar fëmijët e saj vetëm dy herë. Në qytetin Aleppo, kur filloi lufta ata kërkuan një dalje shpëtimi. Pasaporta serbe i shpëtoi, kurse ata që nuk ishin shtetas serb paguan nga 1 mijë euro.

Në shtëpinë e tyre në jug të Serbisë, në qytetin Leskovc, tashmë nga dy fëmijë janë bërë një familje 16-anëtarëshe.

“Kam qenë e tmerruar tërë kohës. Doja vetëm të vinin këtu. Problemi ishte se si të largoheshin nga Siria. Para një viti ka ardhur djali im, e para tre muajsh ka arritur edhe bija ime. Tashmë është e vështirë, por sërish jemi një familje”, tha Slavica Mihajlovic, nëna e fëmijëve nga Siria.

Ndonëse fati i ka bashkuar dhe ka shuar edhe frikën për jetën e tyre nën bombat e luftës civile, ata jetojnë në kushte të vështira dhe shpenzimet janë rritur. Mbahen vetëm me pensionin e gjyshes dhe ndonjë ndihmë. Amir al Nasser thotë se nuk duan të kthehen më kurrë, pavarësisht që në Siri kishin shtëpi të madhe.

“Siria është ndarë në dy pjesë, në ata pro shtetit dhe ata kundër tij, me muxhahedinët. Ka bombardime të tmerrshme çdo ditë dhe nuk është normale. Ne mezi kemi shpëtuar dhe kemi udhëtuar 25 orë”, tha Amir al Nasser.

Në një vend të largët, familja tashmë e bashkuar shpreson për një të ardhme më të mirë. Mijëra refugjatë braktisën Sirinë dhe shumë prej tyre arritën në Ballkan, përmes Turqisë, me shpresën për të shkuar në ndonjë vend europian.

Amir dhe familja e tij kanë udhëtuar me orë të tëra, për të dalë nga Siria, dhe ka fjetur në banjo, për të shpëtuar nga bombardimet. Kjo për të tashmë është vetëm ëndërr.

Top Channel