Kumbaro, bisedime në Bruksel

17/02/2014 00:00

“Kënaqësi t’ju kem këtu. Mendoj se jeni ministrja e parë e Kulturës nga Shqipëria që na vizitoni”. Me këto fjalë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi u prit të hënën në Bruksel nga komisionerja e BE-së për Arsimin, Kulturën, Rininë e Shumëgjuhësinë, Andrulla Vassiliou.

“Na u konfirmua sot edhe nga komisionerja Vassiliou dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kulturës, që të gjitha subjektet shqiptare mund të aplikojnë që tani, për të mos humbur afatet e paracaktuara, në të gjitha pjesët e programit ‘Creative Europe’. Dhe ne jemi angazhuar zyrtarisht për të firmosur Memorandumin e Mirëkuptimit, besoj në verën e ardhshme, çfarë do të japë garanci financiare dhe juridike”, ka deklaruar ministrja Kumbaro.

Gjithashtu, zonja Kumbaro u prit nga drejtori i përgjithshëm i KE-së për Kulturën, Jan Truszczynski, shefi i Njësisë për Shqipërinë, Vassilis Maragos dhe drejtorja e përgjithshme për Pronësinë Intelektuale, Kerstin Jorna.

“Një temë tjetër shumë e rëndësishme që ne diskutuam sot ishte çështja e të drejtave të autorit, që është jo vetëm një detyrim i MSA-së, neni 73, por që shteti shqiptar e ka marrë përsipër. Qeveria ka marrë angazhim të plotë për të bërë reformën e duhur ligjore dhe administrive dhe biseduam sot konkretisht për këtë. Për të pasur asistencën e duhur ndërtuam një kalendar pune me Drejtorinë e Tregjeve ku trajtohen çështjet e copyright-it si një ndër synimet serioze dhe shumë ambicioze të Ministrisë së Kulturës”, ka nënvizuar Kumbaro.

Brukseli vlerëson se Shqipëria ka shkelur angazhimet e saj, pasi nuk ka siguruar ende një nivel të ngjashëm të mbrojtjes së të drejtës së autorit me atë të Bashkimit Europian, siç parashikon neni 73 i MSA-s, në fuqi prej vitit 2009.

Ende nuk është arritur përshtatja e kuadrit ligjor me Asistencën Teknike të BE-së, mungon ekspertiza në gjyqësor, ndërsa kapacitetet administrative vlerësohen të kufizuara në këtë fushë.

Ministrja e Kulturës vlerëson ekspozitën e piktorit Dastid Miluka

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi, nisi vizitën e saj 2-ditore
në Bruksel me përurimin e ekspozitës “Allegoria”, ku së bashku me një
skulptore belge, piktori Dastid Miluka shfaqte një përmbledhje të punës
së kryer gjatë tre viteve të fundit.

“Kam kënaqësinë që ta filloj vizitën time zyrtare në Bruksel për takimin me komisioneren Vassiliou dhe të tjerë zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Kulturës, me një vizitë në ekspozitën e fundit të Dastid Milukës, piktorit shqiptar që jeton në Belgjikë dhe i suksesshëm që prej 10 vitesh tashmë. Kjo përveç kënaqësisë time personale, edhe në mbështetje të politikës së re të Ministrisë së Kulturës për të krijuar sinergjitë midis artistëve shqiptarë që prodhojnë e janë shumë të suksesshëm përtej kufirit të vendit në skenat ndërkombëtare, me artistët shqiptarë që jetojnë tek ne. E kemi filluar që në ditët e para këtë dhe sot ndaj kënaqësinë me piktorin Miluka  për pikturën, vlerën dhe arritjet e tij, që mirë është t’i njohë dhe publiku ynë. Unë e ftoj Dastidin të vijë në Shqipëri, në një moment sa më të përshtatshëm për të”, tha ministrja.

Vetë piktori u shpreh: “Është një ekspozitë që shënon fundin e një cikli ekspozimesh që kam pasur gjatë dy apo tre viteve të fundit dhe le të themi që kjo është ekspozita përmbyllëse. Kam zgjedhur 3 elementë kryesorë: maskat/portretet, peisazhet dhe nudot e këto janë vënë  të gjitha sëbashku, në një ekspozitë, në një miksim ndërmjet surealizmit, kubizmit dhe më pëlqen të përdor po ashtu edhe ngjyrat e forta.”

39-vjeçari Dastid Miluka jeton në Belgjikë që prej vitit 2003. Përveçse në Bruksel, Anvers e Bryzh, punët e tij janë ekspozuar dhe në vendet fqinje: Francë,Gjermani e Holandë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel