Siri, fraksioni opozitar ndryshon liderin

17/02/2014 00:00

Lideri i Ushtrisë Çlirimtare Siriane, fraksioni opozitar i mbështetur nga Perëndimi dhe Gjiri Arab, është shkarkuar nga detyra dhe zëvendësuar me një komandant me eksperiencë më të gjerë në terren.

Një zëdhënës deklaroi se vendimi është marrë për shkak të mungesës së efikasitetit nën komandën e gjeneralit Idris dhe pasi njësia duhej ristrukturuar.

Koloneli Abd al Ilah al Bashir do të pasojë gjeneralin e brigadës Salim
Idris si shef i shtabit të Këshillit Suprem Ushtarak të UÇS-së. Përgjatë vitit të kaluar UÇS ka humbur influencën tek grupet rebele islamike, disa prej të cilëve janë të lidhur me Al Kaedën.

Ndryshimi i komandës vjen pas raundit të dytë të bisedimeve të Gjenevës, ku përfaqësuesit e qeverisë siriane dhe ata të opozitës nuk arritën të shënonin ndonjë hap domethënës.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry fajësoi ditën e hënë presidentin Bashar al Assad dhe përfaqësuesit e tij për bllokimin e negociatave dhe i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë furnizimin me armë për regjimin e Bashar al Assad.

“Regjimi nuk ndryshon qëndrim. Ata nuk bëjnë asgjë përveccse vazhdojnë të hedhin bomba ndaj popullit të tyre dhe të shkatërrojnë vendin e tyre. dhe mua më vjen keq të them se ata po e bëjnë këtë me mbështetje nga Irani, Hezbollah dhe Rusia”, tha Kerry për gazetarët në Xhakarta.

Vendimi për zëvendësimin e gjeneralit Idris u mor ditën e diel, pas një takimi të Këshillit Suprem Ushtarak në Turqi.

Top Channel