Godina, ku më 17 Shkurt të vitit 1995 studentët shqiptarë në Maqedoni mbajtën ligjëratat e para, të hënën u shpall Muze i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Në këtë objekt, që ndodhet në fshatin Poroj të Tetovës, do të ruhen dëshmitë e shkruara dhe materiale për fillimin e veprimtarisë edukativo-arsimore të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

“Me vendim të Senatit, të datës 17 Tetor të vitit 2012, mësonjëtoren e parë të UT-së sot e shpallim Muze të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në hapësirat e Muzeut do të ekspozohen vepra të ndryshme, të njëjtat do të jenë në shërbim të studimit dhe do të jenë të hapura për publikun e gjerë”, tha Vullnet Ahmeti, Rektor i USHT-së.

Ligjëratat e para u shoqëruan me një aksion të gjerë policor, pasi pushteti i atëhershëm maqedonas luftonte me të gjitha mjetet për të mbyllur Universitetin e Tetovës, i cili për shumë vite nuk u njoh nga institucionet e vendit.

Rektori i USHT-së rikujtoi ato ngjarje, duke i shprehur mirënjohje tetovarëve për rezistencën dhe sakrificën, në mbrojtje të kësaj vatre të rëndësishme arsimore për shqiptarët e Maqedonisë.

“Fillimi i ligjëratave u shoqërua me dhunë të egër të policisë, të ushtruar mbi banorët dhe qytetarët që kishin dalë në mbrojtje të arsimit shqip në vendin tonë. Si pasojë e dhunës policore pati shumë të lënduar dhe të burgosur dhe po atë ditë bie dëshmor Abdilselam Emini, dëshmori i parë i arsimit shqip në Maqedoni”, tha Vullnet Ahmeti.

Universiteti Shtetëror i Tetovës u zyrtarizua në vitin 2004. Mijëra studentë shqiptarë, që studiojnë në këtë këtë institucion të lartë arsimor, që nga viti 2008, në datën 17 Shkurt shënojnë dy ngjarje të rëndësishme kombëtare, atë të fillimit të ligjëratave të para dhe Pavarësinë e Kosovës.

Top Channel