Venezuelë, 48 orë kohë diplomatëve amerikanë

18/02/2014 00:00

Venezuela njoftoi gjatë së hënës se 3 diplomatë amerikanë kanë 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi amerikano-jugor, pasi akuzohen për konspiracion kundër qeverisë venezueliane.

Departamenti amerikan i Shtetit është kundërpërgjigjur, duke i quajtur akuzat “të pabaza dhe false”, si dhe duke shtuar se SHBA-të nuk kanë marrë ende një njoftim formal për dëbimin e zyrtarëve.

Ministri i Jashtëm venezuelian, Elias Jaua, akuzon zyrtarët amerikanë se kanë përdorur një program vizash si mbulim për t’u takuar me organizatorë të rinj në universitete private “për trajnimin, financimin dhe krijimin e organizatave rinore, përmes të cilave është promovuar dhuna në Venezuelë”.

Dëbimi i tyre, që u shpall fillimisht nga presidenti Nicolas Maduro të dielën, vjen pasi DASH shprehu shqetësim në lidhje me rritjen e tensioneve në Venezuelë.

Tre protestues anti-qeveritarë vdiqën në përplasjet e javës së kaluar në Karakas, ndërsa autoritetet kanë lëshuar një mandat arresti për liderin e opozitës, Leopold Lopez, pas akuzave për konspiracion dhe vrasje, të lidhura me dhunën e shpërthyer.

Ministria e Jashtme venezueliane ka kritikuar ashpër administratën e Obama-s.

“Qeveria amerikane gënjen, kur denoncon arrestimin e protestuesve paqësor anti-qeveritarë”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Venezuelës. “Shteti ynë ka vepruar dhe do të vazhdojë të veprojë kundër veprimeve të dhunshme të grupeve të ekstremit të djathtë, të cilët kanë konspiruar rrezikshëm kundër lirive demokratike. Bota duhet të dijë se ka prova të mjaftueshme, që tregojnë se grupet që kanë shkaktuar dhunë gjatë ditëve të fundit janë të kryesuara nga Leopold Lopez”.

Partia e Lopez, “Vullneti Popullor”, akuzon qeverinë si përgjegjëse për dhunën gjatë protestave. Të hënën, partia njoftoi se trupat qeveritare kanë sulmuar dhunshëm selinë e tyre, duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke kërkuar kamerat e sigurisë.

Në një video në Youtube, të postuar nga një vendndodhje e panjohur gjatë fundjavës, Lopez bën thirrje për protesta të reja antiqeveritare gjatë së martës, si dhe u angazhua të vihet përballë Ministrisë së Drejtësisë së Venezuelës, por edhe t’u dorëzojë zyrtarëve të qeverisë një listë me kërkesa nga populli venezuelian.

“Kam marrë vendimin për t’u përballur me sistemin e drejtësisë së vendit tim, një sistem i korruptuar dhe i manipuluar, sepse nuk jam një kriminel, nuk kam kryer ndonjë krim dhe se e kam për detyre të përballem me këtë”, tha Lopez në një deklaratë ekskluzive audio për gazetaren e njohur të CNN, Christine Amanpour, të hënën.

“Të largohesh nga vendi, apo të fshihesh, do të ngrinte dyshime në lidhje me atë se cili është motivi ynë real, që faktikisht është mbledhja e miliona venezuelianëve në tubime, në mënyrë që të arrijmë fitojmë ndryshime sociale dhe politike, përpara një realiteti që na prek të gjithëve ne”.

Top Channel