Vrasësja seriale që po trondit SHBA-të

18/02/2014 16:00

Një vrasëse seriale adoleshente është duke tronditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi tregoi gjatë hetimeve se si realizonte vrasjet me “thikën e saj të preferuar”, të cilës i shtonte nga një vizë për çdo vrasje.

Miranda Barbour, vajza që në dukje nuk ka asgjë të pazakontë nga 19-vjeçaret e tjera, pranoi përpara hetuesve se është autore e 22-100 vrasjeve, në këmbim të përjashtimit nga dënimi me vdekje.

Ironikisht, e pyetur mbi mundësinë e dënimit me vdekje, e reja e cilëson atë si një ndëshkim të pashpirt dhe çnjerëzor.

Pavarësisht krimeve të pranuara nga 19-vjeçarja, avokatja mbrojtëse e saj tha në media se “sistemi i drejtësisë është i gabueshëm, ndaj dënimi me vdekje nuk duhet të ekzistojë për arsyen e thjeshtë që njerëzit e pafajshëm nuk janë të përjashtuar nga këto gabime”.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, është mësuar se e reja njihte viktimat e saj në një faqe njohjesh online.

Ajo linte takime me meshkujt, të cilët i joshte me premtimin e një marrëdhënie seksuale në një vend intim, ku edhe i vriste.

Më pas, vajza zhdukte trupat e pajetë në zona të ndryshme pyjore përreth banesës së saj, në Pensilvani.

Miranda, e cila e ka cilësuar veten si një praktikuese të satanizmit, ritit okult që adhuron Djallin, thotë se mban mend me siguri 22 vrasje, por se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë rreth 100.

FBI është duke vazhduar hetimet, për të zbuluar sa më shumë mbi këtë rast tronditës të një vrasëse seriale adoleshente, e cila nuk ka asnjë tipar të ngjashëm me profilin e mundshëm të atij që mund të klasifikohet si vrasësi serial.

Top Channel