Familja Osmani, 7 kurora në një shtëpi

18/02/2014 00:00

E imagjinoni dot sesi mund të jetojnë 4 breza në një shtëpi? Nipër dhe mbesa shumë dhe zhurmë gjithashtu. Tradita e të jetuarit bashkë, edhe pse jo shumë e përhapur në Shqipëri, vazhdon ende.

Familja Osmani në Kamëz përbëhet nga shtatë kurora që banojnë në të njëjtën ndërtesë. Kryefamiljari Preng Osmani ka dy djem: Lushin dhe Gjonin. Së bashku, vëllezërit kanë 5 djem dhe 5 vajza, të gjithë të martuar, përveç djalit të vogël që pritet të martohet së shpejti.
 
Lush Osmani, vëllai i madh, tregon: “Është një kënaqësi të jesh familje e madhe. Kemi kombinuar shumë mirë, nuk kemi pasur probleme.”
 
Në vitin 1991, Osmanët lanë fshatin Mzi të Pukës për t’u zhvendosur në periferi të kryeqytetit. Rolin e drejtuesit nga ajo kohë e mori Lushi, djali i parë i Prengës.
 
Detyrimet gjithsecili i ka të ndara në shtëpi. Burrat punojnë në bizneset familjare, ndërsa gratë merren me angazhimet e shtëpisë.
 
“Kushtet i kanë pasi nuk mund të jetohet bashkë pa pasur kushte. Cdo kat i shtëpisë ka lavatriçen e të gjitha gjërat që u duhen”, thotë Frane Osmani, nusja e Lushit.
 
Ndonëse janë mbi 20 frymë që ndajnë çatinë, të gjithë shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Shtëpia nuk është kurrë e qetë sepse stërgjyshi Prenga ka 15 nipër dhe mbesa.
 
 Për ta, formula e bashkëjetesës ka rezultuar e suksesshme. Punojnë dhe jetojnë në harmoni të plotë edhe pse janë të ndërgjegjshëm se mund të jenë nga të fundit familje që respektojnë ende një traditë të vjetër.
 
Kur babai vendos për të gjithë familjen

 

Pa miratimin e babait të shtëpisë, në familjen Bala nga Preza e Tiranës nuk bëhet asgjë. 65-vjeçari Sure Bala ka 3 djem të martuar dhe 5 nipër e mbesa që banojnë në të njëjtën shtëpi.

13 pjesëtarët e shtëpisë shkojnë shumë mirë me njëri-tjerin duke u cilësuar si një familje tipike patriakale, ku roli i Sures është i rëndësishëm.
 
“Këtë familje e kam të trashëguar nga babai. Më parë kemi qenë 30 vetë në një familje dhe kemi parë që kur familja është e bashkuar, punët ecin mbarë”, thotë kryefamiljari.
 
Fjala e më të moshuarit respektohet dhe vlerësohet shumë, veçanërisht nga tre kunatat, të cilat shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën.
 
Luljeta Bala tregon: “Kam 16 vjet e martuar dhe me njerëzit e burrit shkoj shumë mirë. Kemi një komunikim perfekt.”
 
Nuset Luljeta, Blerina dhe Ermalinda nuk mbajnë mend të jenë konfliktuar ndonjëherë edhe pse ndajnë të njëjtën hapësirë kur organizojnë punët e shtëpisë së bashku.
 
“Mua më respektojnë shumë. Ashtu siç shkojmë mirë njëra me tjetrën, edhe fëmijët tanë shkojnë mirë”, shton Luljeta.
 
Gjithmonë familja ka jetuar në një banesë. Si në çdo shtëpi, ka patur dhe momente jo të mira, por çdo gjë është sqaruar më pas nga babai, i cili mendon ende ta mbajë familjen e bashkuar derisa të jetë e mundur.

Sekreti i bashkëjetesës së suksesshme? Komunikim i mirë midis tre brezave dhe respekt reciprok.
 
Familja patriarkale
 

Sipas sociologëve, familja është përkufizuar si një grup njerëzish të bashkuar nga lidhjet e gjakut, martesa ose birësimi, të cilët jetojnë së bashku duke u kujdesur për fëmijët.

Në gjithë historinë e njerëzimit janë njohur dy forma të pushtetit familjar që  kanë qenë përcaktuese për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë. Së pari, familja patriakale, ku  autoriteti ushtrohet nga burri më i moshuar, që është zakonisht babai. Pra, kryefamiljari është drejtuesi i familjes dhe të gjitha vendimet merren nga ai. Zakonisht, këto janë familje me shumë kurora brenda ku fëmijët pranojnë vendimet e më të madhit. Zakonisht këto  familje të zgjeruara përbëhen nga prindërit, fëmijët dhe të afërm të tjerë që jetojnë me ta, gjyshi, gjyshja ose të afërm të bashkëshortëve.

Matriarkati është një tjetër formë drejtimi i familjes. Në këtë rast autoriteti ushtrohet nga gruaja më e moshuar, që është zakonisht nëna. Kjo formë organizimi është shumë e rrallë në ditët tona, por në disa kultura ende ekziston.

Zhvillimi i shoqërisë ka sjellë evoluime për familjen gjithashtu. Tashmë, çiftet e reja po synojnë një familje të vogël me pak anëtarë duke u larguar nga traditat e dikurshme e patriarkalizmit arkaik.

Top Channel