Lideri i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, ka thënë se kundërshtari i tij politik, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, nuk po shfaq interes për të bashkëpunuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Thaçi tha se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ahmeti, për ftesën e tij publike për të hartuar një platformë të përbashkët për integrimet, ndarjen proporcionale të buxhetit, zyrtarizimin e tërësishëm të gjuhës shqipe dhe vendimmarrjen me konsensus në Parlament.

“Ata kishin një afat të prononcohen dhe të japin përgjigje për këtë çështje. Mosprononcimi i tyre, në atë afat të caktuar, nënkupton se ata nuk pajtohen dhe tani, normalisht, ne vazhdojmë si dy parti të veçanta dhe konkurente”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kreu i PDSH-së, po ashtu ftoi Ali Ahmetin, që të bëjë të qartë qëndrimin, nëse partia e tij BDI do të bojkotojë apo jo zgjedhjet presidenciale.

“Nëse ata dalin me qëndrim politik të vërtet për këto zgjedhje, atëherë do të dëgjojnë edhe qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare. Brengosëse është për mua që, në vend që ata të merren me telashet e mëdhaja, që i kemi si shqiptarë; mohimin e të drejtave, që na bëhen, me diskriminimin politik dhe ekonomik; ata flasin për një çështje, e cila s’ka asnjë lidhje me ecjen përpara të të drejtave tona. Përfundimisht duhet të sqarojnë para publikut se, kandidati konsensual që përmendet nga z. Ahmeti është maqedonas, nuk ka të bëjë me shqiptarët”, tha Menduh Thaçi.

Përfaqësuesit e partisë shqiptare në qeveri, BDI, ditë më parë kanë njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësinë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, nëse partneri maqedonas i koalicionit nuk pranon ofertën e tyre për president konsensual.

Top Channel