Partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se oferta e kreut të PDSH-së opozitare Menduh Thaçi, për një platformë të përbashkët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk është në përputhje me frymën e pluralizmit politik.

Partia shqiptare në pushtet, BDI vlerëson se çdo subjekt politik duhet të dalë para qytetarëve me një platformë të veçantë.

“Përcaktimet nuk kanë dilema tek shqiptarët, forma për arritjen deri tek strategjia dhe qëllimet ështe e ndryshme. Sa i përket thirrjes për platformë të përbashkët, ne mendojmë se demokracia nënkupton konkurrencë, garë ndërmjet platformave politike me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin më të mirën. Po të kishte vetëm një platformë apo program, cila është logjika e pasjes së më shumë partive politike”, ka deklaruar Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Kreu i PDSH-së opozitare Menduh Thaçi, një ditë më parë tha se lideri i BDI-së Ali Ahmeti nuk i është përgjigjur ofertës së tij për hartimin e një platforme të përbashkët për integrimet, ndarjen proporcionale të buxhetit, zyrtarizimin e tërësishëm të gjuhës shqipe dhe vendimarrjen me konsensus në Parlament.

Nga partia e Ali Ahmetit thonë se BDI-ja është e gatshme të bisedojë me subjektet e tjera politike vetëm për kornizën zgjedhore dhe procesin integrues.

Top Channel