Shkarkimet në polici, s’ka hetim

19/02/2014 00:00

Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur mos fillojë proçedimin penal pas kallëzimit të bërë nga Partia Demokratike ndaj kryeministrit Rama, ministrit të Brendshëm Tahiri, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës gjatë procesit të emërimeve dhe shkarkimeve në Policinë e Shtetit.

Vendimi është marrë pak kohë më parë, por zbardhja e tij ka mbetur e rezervuar dhe nuk është bërë publike. Në argumentimet e tij prokurori i çështjes ka sqaruar shkaqet për vendimin duke përcaktuar se në lidhje me emërimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë Artan Didi, Këshillit të Ministrave i lindte e drejta pasi ish-drejtori Hysni Burgaj kishte dhënë dorëheqjen dhe se qeveria është organi kompetent shtetëror që duhet të përcaktonte në bazë të ligjit edhe zëvendësuesin e tij.

Sipas të njëjtit argument, thuhet se vendosja e Artan Didit në krye të policisë është kryer me akt administrativ të Këshillit të Ministrave dhe është akt i një organi kolegjial.

Në lidhje me dy nëndrejtorët e Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga dhe Altin Qato, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se, emërimi i tyre bëhet nga ministri pas propozimit të drejtorit të përgjithshëm.

Dhënë këtë rast, ish-drejtori Burgaj ka bërë propozimin konkret që është firmosur më pas nga ministri i Brendshëm Tahiri. Në këto kushte, thotë prokuroria, marrëdhëniet e krijuara nga urdhërat e ministrit janë të natyrës juridiko-administrative.

Për këtë arsye ankimimi i këtyre akteve duhet bërë tek kryeministri sipas Kodit të Proçedurës Administrative. Ankimi për këto urdhëra nuk është ai i tipit gjyqësor penal, por vetëm gjyqësor administrativ.

Në pikën e tretë, atë të emërimit të 12 drejtorëve në qarqe, prokurori ka sqaruar se asnjë emërim i tyre nuk është kompetencë e kryeministrit Rama dhe as ministrit të Brendshëm, Tahiri.

Sipas akteve, nuk figuron që urdhërat të jenë firmosur prej tyre, por nga ish-drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj, i cili në rastin konkret ka ushtruar funksionin e tij si drejtuesi më i lartë i policisë.

Top Channel