WhatsApp shitet për 19 miliardë dollarë

20/02/2014 00:00

Në një garë për të dominuar dërgimin e mesazheve në telefona dhe web, Facebook ka blerë “WhatsApp” për 19 miliardë dollarë.

Kjo është një shumë mahnitëse për kompaninë, që ka vetëm 5 vjet në treg. Por, “WhatsApp” ka mundur të krijojë peshën e vet, përkundrejt superfuqive të dërgimit të mesazheve, si Twitter, Google, apo Skype.

“WhatsApp” numëron aktualisht 450 milionë përdorues, ndërkohë që shton rreth 1 milion përdorues çdo ditë.

Referuar rritjes “fluturimthi” të “WhatsApp”, shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, tha përmes një telekonference se “askush në historinë botërore nuk ka bërë diçka të tillë”.

“WhatsApp” është aplikacioni më popullor për dërgimin e mesazheve nëpër smartphone, sipas studiuesve të “OnDevice Research”.

Blerja e “WhatsApp” vetëm sa do të përforcojë edhe më tej pozicionin e fuqishëm të Facebook në botën e tejmbushur të mesazheve. “Messenger”, aplikacioni i pavarur i Facebook-ut për pajisjet celulare, renditet i dyti pas “WhatsApp”-it, sa i përket përhapjes në tregun e smartphone-ve.

I ngjashëm me opsionin tradicional të dërgimit të mesazheve, “WhatsApp” është një aplikacion që lejon njerëzit të lidhen mes tyre përmes numrave të telefonave të njëri-tjetrit. Por, në vend që njerëzit të përballen me tarifat torturuese të kompanive celulare, “WhatsApp” ofron mundësinë të dërgohen mesazhe vetëm përmes rrjetit telefonik, pa tarifa shtesë, duke e bërë kështu këtë shërbim komunikimi tepër efektiv.

Shefi ekzekutiv i “WhatsApp”, Jan Koum, tha në të njëjtën konferencë se modeli i biznesit të “WhatsApp” është tashmë diçka me sukses të garantuar. Gjë që nënkupton se Facebook e bleu “WhatsApp” thjesht sa për t’i shtuar vlerën shërbimeve ekzistuese të dërgimit të mesazheve, ashtu si dhe për potencialin e kompanisë në të ardhmen.

Facebook bleu “Instagram”-in për 1 miliardë dollarë në vitin 2012 për të njëjtat arsye, shërbim ky që ofron mundësinë e komunikimeve përmes fotove mes përdoruesve.

Ashtu si Instagram, edhe “WhatsApp” do të funksionojë si njësi autonome e Facebook, teksa të gjithë punonjësit e tij do të jenë pjesë e marrëveshjes së “blerjes”.

Koum do të bashkohet me bordin e drejtorëve të Facebook, si pjesë e marrëveshjes së fundit.

Top Channel