Klinika Toksikologjike dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, në bazë të analizave, kanë konstatuar se nxënësit e shkollës së mesme ekonomike të Gostivarit nuk kanë qenë të helmuar me substanca kimike.

Konstatimi i tillë i dy institucioneve të sipër përmendura, sipas opozitës shqiptare, është tendencioz dhe i palogjikshëm, pasi nuk ka mundësi që 60 nxënës dhe profesorë të simulojnë vetëhelmim.

“Rasti i fundit i helmimit të nxënësve shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike në Gostivar, njësoj si rastet e tjera të rrahjeve të përditshme të fëmijëve shqiptarë, tregon neglizhencën dhe mosinteresimin total të BDI-së për t’i mbrojtur shqiptarët, t’i zbardhin këto raste dhe fajtorët të marrin dënimin e duhur. Për fat të keq, kjo nuk ndodh dhe kjo sjellje e tyre na detyron të mendojmë, se ata janë thellë të implikuar në këto raste”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Nga partia shqiptare në pushtet, BDI, thonë se ende nuk kanë përfunduar hetimet, për zbardhjen e plotë të rastit, ku u helmuan dhjetra nxënës shqiptarë. Sipas kësaj partie, institucionet janë duke punuar me seriozitet në ndriçimin e këtij rasti.

“Ekspertiza mund t’i japë konkluzionet e veta dhe mund të eliminojë disa arsye për shkaktimin e rastit, por kjo nuk do të thotë se e zbardh rastin deri në fund. Nëse eliminohen disa mundësi, atëherë duhet të vazhdohet me pistat e tjera, për të arritur deri tek e vërteta. Ajo që është me rëndësi, është se institucionet, Prokuroria dhe MPB, u betuan se do të vazhdojnë me seriozitetin më të madh për zbardhjen e tërësishme të këtij rasti”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Ndërkohë, edhe të punësuarit në shkollën e mesme ekonomike të Gostivarit kanë reaguar ndaj rezultateve të publikuara nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ata kërkojnë që rasti të shqyrtohet më me seriozitet, pasi akoma ka nxënës që vuajnë nga pasojat e helmimit.

Top Channel