Një mama për shoqe, e drejtë apo e gabuar?

20/02/2014 00:00

Kohë më parë, mamaja ishte ajo zonja e shtëpisë që gatuante dhe
kontrollonte detyrat ose që priste të gjithë familjen apo bashkëshortin
kur kthehej nga puna për ta respektuar atë. Ndërsa sot është më shumë e
mundur të shohësh një mama me xhinse dhe atlete që shkon me të bijën për
të bërë pazar.

Madje po bëhen të shumta mamatë të cilat shkojnë në diskotekë apo pub për të pirë një birrë! Këto mama-shoqe të reja kanë zgjuar interesin e sociologëve të cilët kanë ngritur pyetjen e vështirë: “A është kjo një gjë e gabuar?”. Por tani, duke qenë se ata nuk kanë ende kompetencat e duhura për të dhënë një përgjigje objektive, një reflektim është vërtet i duhur. Në fakt, nuk ka asgjë të keqe në një sjellje të tillë, për aq kohë sa ajo nuk bëhet një sjellje monotone, me zemërime dhe mërzitje. Fakti që raporti mama-bijë ka dalë jashtë skemave: “Kthehu në këtë orë”, “Bëj detyrat”, “Përgjigju mirë”, “Ajo gjë nuk është e mirë”, nuk do të thotë domosdoshmërisht që është i gabuar, përkundrazi mund të jetë pozitiv dhe nuk është shkruar në asnjë vend që një mama dhe një bijë nuk mund të kalojnë momente të kohës së tyre të lirë për të bërë një xhiro, për të bërë pazar, për të shkuar në kinema dhe pse jo për të pirë në ndonjë bar. Por ajo që duhet të shmanget është që roli i mamasë të mos shndërrohet dhe të bëhet një lloj si ai i motrës së madhe apo të një mikeje. Çdo vajzë ka nevojë për një figurë nëne, që të jetë si një guidë për t’iu referuar dhe për të siguruar pajtueshmërinë me rregullat duke imponuar autoritetin kur është e nevojshme. Duke bërë këto supozime, nuk do të ishte aspak problem për ta kombinuar këtë rol me një konfidencë të shëndetshme, që nuk do të bënte gjë tjetër përveçse do ta forconte këtë lloj marrëdhënie!

Ti dhe nëna jote

Kjo është një marrëdhënie që qëndron në bazë të qytetërimit, është një raport që vjen nga larg… Që në fëmijëri, mes nënës dhe bijës formohet një lidhje e ngushtë, shumë më e fortë se ajo që mund të ekzistojë mes babait dhe djalit, por edhe nënës dhe djalit. Nëna vepron si një zog, që me krahët e saj do që të mbrojë fëmijët për aq kohë sa të jetë e mundur. Sidomos, nëse ajo nuk ka interesa të tjera jashtë familjes dhe ndihet e plotë, e lumtur për këtë rol, rolin e nënës-mbrojtëse. Ndërkohë një vajzë, edhe pse tregohet intolerante nga bezdisja e mamasë së saj, është gjithmonë në kërkim të një pike referimi të qëndrueshme dhe fikse. Ndërsa për mashkullin, çështja është ndryshe, sepse figura e tij e referimit është babai. Por gjithsesi, me babanë nuk mund të ekzistojë një marrëdhënie e njëjtë si me nënën, që na ka lindur dhe është kujdesur më shumë për hir të së vërtetës…

Adoleshenca dhe rinia e hershme

Cilësohet si moshë delikate. Gjatë kësaj periudhe ka një lloj distancimi në marrëdhëniet prind-fëmijë, pasi grupet e moshatarëve janë burimi kryesor i stimulimit social, intelektual, emocional dhe i reflektimit të vetes: “Kush jam unë?”. Ndërkohë që për vajzën adoleshente, vijimi i një marrëdhënie të ngushtë me nënën vjen në mënyrë të natyrshme, madje pranohet dhe inkurajohet nga stereotipat kulturorë dhe socialë të çdo shoqërie, djalit dhe nënës i del një detyrë paksa e vështirë për t’u zgjidhur. Marrëdhënia me adoleshentët e tjerë meshkuj fillon të konkurrojë me marrëdhënien unike dhe intensive me nënën. Madje, kur kjo e fundit është shumë e ngushtë, fillon të shihet si dobësi. Shpesh djemve adoleshentë u vjen turp kur afeksioni fizik me nënën shfaqet publikisht. Po bisedat për problemet intime, emocionale apo dhe praktike me kë duhet të bëhen? Me nënën? Në shumë kultura, kjo është e pranueshme, por në përgjithësi stereotipat socialë imponojnë marrëdhënien mashkull-mashkull në këtë moshë! Babai fillon të bëhet figurë më e rëndësishme për identifikimin e djalit të ri me të bërit “burrë”! Të rrëfyerit te mami nuk duartrokitet shumë në grupet e adoleshentëve meshkuj. Kujdesi fizik për të siguruar mirëqenien e adoleshentit të ri vazhdon të jepet pa kushte dhe në shumicën e rasteve nga nëna.

Top Channel