Pas takimeve me kreun shtetëror maqedonas, shefi i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos, ka thënë se te zyrtarët e Shkupit ka parë gatishmëri për përmirësimin e raporteve ndërfqinjësore.

“Përshtypja ime personale, pas takimeve në Shkup, është se Qeveria, por edhe sektori civil këtu, janë të gatshëm për dialog, jo vetëm për problemin e emrit, por edhe për avancimin e bashkëpunimit bilateral, sepse të gjithë këtu e kanë të qartë, se Greqia është dalja e vendit tuaj drejt integrimit në BE”, është shprehur Evangelos Venizelos, zv/kryeministër i Greqisë.

Megjithatë, edhe përkundër kësaj deklarate optimiste të shefit të diplomacisë greke, vizita e tij në Shkup ka vënë në dukje raportet e tendosura greko-maqedonase, si pasojë e problemit me emrin e Maqedonisë.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Popovski, tha se nuk sheh gatishmëri te pala greke për zgjidhjen e problemit të emrit, ndërsa Venizelos refuzoi konferencën e përbashkët me homologun e tij në Shkup, për shkak se në sallën e konferencave, në prapavijë, ishte mbishkrimi “Republika e Maqedonisë”.

“Konstatimi i përgjithshëm është se, për momentin ekziston një klimë politike për përkushtimin e palës tjetër rreth kësaj çështjeje, në drejtim të nxitjes së gjërave përpara. Ne mbetemi të hapur për dialog, pavarësisht se, gjatë historisë, kemi qenë në situata, ku na është dashur të respektojmë marrëveshje të imponuara, në bazë të përmbajtjeve të imagjinuara”, tha Nikola Popovski, ministër i Punëve të Jashtme, në Maqedoni.

Nga ana tjetër, partneri shqiptar në Qeverinë e Shkupit e ka vlerësuar me tone pozitive vizitën e zyrtarit grek në Maqedoni. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Venizelos është treguar i gatshëm për ta ndihmuar Shkupin në procesin e integrimit.

“Sigurisht, si çështje dhe pengesë paraqitet moszgjidhja e çështjes së emrit, apo modifikimit të emrit. Venizelos paraqiti një gatishmëri të plotë, që do të angazhohet për një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, me qëllim që të arrihet progresi euroatlanik i vendit”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Vizita e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Evangeloz Venizelos, është e para, pas rreth një dekade ngrirjeje të raporteve mes Shkupit dhe Athinës.

Venizelos qëndroi të enjten në Shkup, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, ku u prit me protesta para Qeverisë.

Një grup qytetarësh kërkuan nga zyrtarët vendorë, që t’i bëhet me dije Athinës dhe Brukselit, se maqedonasit asnjëherë nuk do të lejojnë, që të ndryshohet emri kushtetues i Maqedonisë.

Venizelos la aeroplanin në Prishtinë
Ministri i Jashtëm i Greqisë: Njohja e Kosovës nuk do të ndodhë së shpejti

Zv/kryeministri grek Evangelos Venizelos po qëndron këtë të enjte në Shkup, por kjo vizitë nuk ka kaluar pa disa “peripeci”, që kanë vënë në dukje raportet e tendosura greko-maqedonase.

Zyrtari i lartë grek refuzoi që të ulej në aeroportin e Shkupit për shkak të emrit të tij, “Aleksandri i Madh”, njëri nga heronjtë e shumtë që ka përvetësuar Maqedonia, por që përkatësia e të cilit pretendohet edhe nga shtetet e tjera fqinje, sidomos nga Greqia.

Burime diplomatike kanë shpjeguar se Venizelos e la të mërkurën aeroplanin e tij zyrtar në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” dhe udhëtoi drejt Shkupit në rrugë tokësore.

Para se të udhëtonte për në Shkup, ai qëndroi në kryeqytetin e Kosovës ku u takua me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj.

Pas takimit me liderët kosovarë, ai tha se Athina zyrtare nuk ka ndërmend që brenda pak kohësh ta njohë Republikën e Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, shteti grek është i gatshëm që ta mbështesë Prishtinën në rrugën e integrimit, në mënyrë që ta njohë shtetin e ri pak para se të jetë i gatshëm që të anëtarësohet.

Top Channel