Shit-blerjet miliardere të kompanive ‘web’

20/02/2014 00:00

Prej muajsh Mark Zuckerberg kishte vendosur në tavolinë ofertën e tij, 19 miliard dollarë për Jan Koum dhe ky i fundit t’i linte aplikacionin e mesazheve, “Whatsapp”.

Oferta ishte tunduese për Koum, aq sa pikërisht në ditën e Shën Valentinit, kur Zuckerberg ishte duke festuar me bashkëshorten e tij Priscila, mbërrin një telefonatë; Koum pranon ofertën e tij dhe “Whatsapp” i bashkangjitet rrjeteve të tjera sociale të Facebook.

Shifra vendosi rekordin në llojin e saj. Për të gjetur një shifër të ngjashme, por sërish më të vogël, duhet të rikthehemi pas në kohë. Në gusht të 2011 për 12.5 miliard dollarë Google blen prodhuesin e telefonave celularë Motorola. Me kalimin e viteve lëvizja rezulton një bllof dhe një muaj më parë, Google vendosi ta shesë atë vetëm për 3 miliard dollarë tek Lenovo.

Në maj të 2011 ishte Microsoft që zbrasi xhepat për të siguruar shërbimin e video-thirrjeve nëpërmjet internetit, Skype. Marrëveshja u arrit për 8.5 miliard dollarë, ndërkohë që në garë për po të njëjtin produkt, por me një shifër më të vogël të hedhur në pjatë, ishte edhe Facebook.

Nëntorin e vitit të kaluar sërish Microsoft. Këtë herë kompania e Bill Gates synon tregun e telefonisë inteligjente dhe në shënjestër është Nokia, kompania finlandeze që notonte në ujëra të turbullta përballë konkurencës së Apple dhe Samsung. Marrëveshja arrihet për 5.44 miliard dollarë.

Në janar, me një shumë pak më të madhe nga sa përfitoi nga shitja e Motorola-s tek Lenovo, Google bleu prodhuesin e aksesorëve inteligjentë shtëpiake. “Nest Labs” ndërroi pronësi për 3.2 miliard dollarë. Lëvizja tregon se Google është gjithnjë e më shumë e interesuar në epokën post-telefonave inteligjentë.

Sërish Google, këtë herë në 2008-ën. “Mountain Vieë” fut sërish dorën në xhep nga ku nxjerr 3.1 miliard dollarë për të përvetësuar “DoubleClick”, shoqërinë aktive në sektorin e publicitetit dixhital. Lëvizja rezultatoi e suksesshme, sot Google dominon sektorin me 32.8 përqind, ndjekur nga Facebook me 5.4 përqind.

Kthehemi disa vite pas në kohë, në fillimet e shfletuesve të internetit. Në 1998 AOL shpenzon plot 4.2 miliard dollarë për të blerë “NetScape”, shfletues interneti. Koha vërtetoi se lëvizja nuk ishte fort e zgjuar, fiks 10 vite më vonë, ky shfletues u shua dhe nga “mbetjet e tij” lindi Firefox.

Tjetër bllof, tjetër vrimë në ujë. Yahoo shpenzon 3.6 miliard dollarë për blerjen e “GeoCities” në vitin 1999. 10 vite më vonë “GeoCities” pushon së ekzistuari.

Pak kohë më parë, sërish Yahoo. Këtë herë paratë e derdhura nuk shkojnë më shumë se 2 miliard dollarë dhe objektivi ishte rrjeti social “Tumblr”.

E krijuar më 14 shkurt të vitit 2005 si një rrjet ku përdoruesit mund të ngarkonin dhe të shikonin video, Youtube shumë shpejt do të kapte majat e suksesit. Një vit më vonë u rëndit në 10 produktet më të suksesshme në Shtetet e Bashkuara. Kaq mjaftoi për të tërhequr vëmendjen e Google që e përvetëson atë për 1.65 miliard dollarë.

Me thuajse të njëjtën shifër, rrjeti i shit-blerjeve në internet, e-Bay blen shërbimin e pagesave online, PayPal.

Në 2012 godet Facebook që duke iu trembur konkurencës, blen Instagramin për rreth 1.5 miliard dollarë.

Top Channel