Mollët e njohura të Korçës që na mbushin shtëpinë me aromën e tyre karakteristike janë arsyeja kryesore për organizmin e Festës së Mollës në fshatin Dvoran.

Ka vetëm dy vite që organizohet, por për banorët është jo vetëm një arsye më shumë për të festuar me miqtë e të afërmit, por për ta molla zë pjesën kryesore të ditës. Gjatë ditës së festës mbahet Panairi i Mollës dhe panairi i gatimeve tradicionale me përbërje molle, ku marrin pjesë rreth 40 gra.

“Molla më merr 8 orë të ditës dhe kur vjen festa e mollës vijnë shumë njerëz nga i gjithë vendi”, thotë një fermer i zonës.

Përgatitjet fillojnë disa ditë më parë. 4-5 grupe fëmijësh organizohen dhe luajnë lojra popullore me objekt mollën.

Molla që prodhon toka e Dvoranit njihet dhe vlerësohet nga të gjithë, kështu që një pjesë kryesore e festës, përveç shijimit të prodhimeve dhe gatimeve vendase është edhe ndarja e çmimit të mollës më të mirë, gatimi dhe vizatimi më i mirë. Gëzimja thotë se gatimet me mollë janë nga më të larmishmet: “E presim me padurim këtë festë. Bëjmë ëmbëlsira me mollë dhe kulaçe të zëna me mollë.”

Në përfundim të aktiviteteve që organizohen bashkarisht nga banorët e fshatit, në çdo shtëpi priten vizita.

Tradita e Karnevaleve të Polenës

Në fshatin Polenë organizohen shumë festa, me zakone e tradita të tilla që rrallëherë mund t’i gjesh.

Diana thotë se një nga momentet më të veçanta për organizimin dhe atmosferën në rrugicat e fshatit është Dita e Ujit të Bekuar në 6 janar: “Është një festë pagane e trashëguar brez pas brezi. Kjo traditë ruhet edhe sot.”

Karnavalet e Polenës në ditën e hedhjes së kryqit në ujë është një nga ritet më të vjetra. Elementi më kryesor janë arapët ose lugetërit. Ata bëjnë hapjen e festes që herët në mëngjes.

Ata shfrytëzojnë terrin e natës për të të futur frikën dhe tmerrin. Janë të zhurmshëm dhe zotër të qetësisë së natës. Kështu duket sikur duan vetëm errësirën dhe duan të pengojnë ardhjen e një dite të re.

“Tërë natën bëjnë zhurmë me këmborët e lidhura pas brezit”, thotë Diana.

Njerëzit mblidhen në sheshin qendror të fshatit dhe presin që karnavali të arrijë kulmin me një shfaqe të përgatitur që më parë nga organizatorët e karnavaleve: “Që dy javë më përpara mblidhemi për të diskutuar ndonjë element të ri për festën pasi figurat e vjetra nuk i ndryshojmë.”

Megjithëse karnavalet nuk ishin rit fetar, në vitin 1967 u ndalua organizimi i tyre nga sistemi komunist. 25 vjet ndërprerje nuk i zhdukën karnavalet, përkundrazi, kjo traditë vazhdon të trashëgohet duke e bërë të larmishme jetën në fshat.

Festa e Santrivaçit në Hoçisht

Janë të shumta festat fetare që festohen në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë. Një nga më të njohurat dhe që vizitohet më së shumti është festa e Santrivaçit në Hoçisht.

At Viktori tregon se anargjendët Kozma dhe Damjan kanë qenë mjekë të shenjtë që shëronin njerëzit e sëmurë pa para’: “Një fshat me tradita të lashta kulturore dhe fetare. Këtu vijnë shumë njerëz nga të gjitha qytetet. Festohet 2 herë në vit: një herë në 1 korrik dhe një herë në 1 nëntor.”

Në këto dy data të shënuara rrugët mbushen plot e përplot. Nuni Plaku tregon se të gjithë ata që kanë mundësi shkojnë të vizitojnë kishën: “Bëhet një festë e madhe dhe vijnë njerëz nga të gjitha fetë.“

Zonjat rregullojnë shtëpitë dhe bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pritur miq. Bëjnë meshë, shtien grurë dhe pasi e këndon prifti e ndajnë për të gjithë.

Në këtë kishë shkojnë të gjithë, pa dallim feje. Besojnë dhe janë të shumtë ata që kalojnë edhe natën aty.

Gështenjat dhe Festa e Reçit në Malësi

Gështenjat dhe Festa e Reçit janë elemente identifikues për fshatin e komunës Shkrel, në Malësi të Madhe. Rexhep Metaj dhe Muhamed Hepa thone se Lufta e Reçit ishte nje organizim spontan i banorëve.

Italianët vetëm sa hynë në fshat, dogjën dy shtëpi dhe aty u bllokuan pa mundur të shkonin më tej në mbrëmjen e 30 Gushtit 1943.

Në këto luftime ranë dëshmorë disa banorë të fshatit. Besnik Celaj thotë se ajo ditë ka filluar të kujtohet vetëm pak kohë më pas ngjarjes.

Cdo vit në fshat organizohet një festë e madhe në fshat. Të dielën e fundit të Gushtit ose javën e parë të Shtatorit, reçianët dhe të gjithë të tjerët që vijnë nga zonat përreth qëndrojnë gjithë natën e së shtunës në çadra me zjarre të ndezura. Kurse të dielën zhvillohet ceremonia zyrtare tek lapidari dhe mbahet koncerti.

Shkurtja tregon se atë ditë, familja Celaj ose siç njihen ndryshe Bajraktarët, presin vizita në derën e shtëpisë së njërit prej të rënëve.

“Para se të vijë dita e festës, nis organizimi nga komuna me pastrime, rregullohet tribuna. Është një mundësi për gratë e fshatit që të dalin pasi nuk ka aktivitete të tjera. Edhe fëmijët kënaqen”, thotë Zamira Hepaj, një nga zonjat që ka 20 vite e martuar në këtë fshat.

Si simbol, vendi ku organizohet për çdo vit festa ka marrë emrin “Parku i Festës”.

Top Channel