Venezuelë, Maduro sulmon edhe CNN

21/02/2014 00:00

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka kërcënuar me dëbim nga vendi rrjetin informativ amerikan, CNN, për shkak të raportimeve të protestave, që kanë prekur vendin.

Maduro tha se do të ndërmerrte masa, nëse CNN nuk do të “korrigjojë mbulimet” e tij. Më herët, Maduro kishte njoftuar dërgimin e trupave ushtarakë në shtetin perëndimor të Tachira-s, ku ka pasur trazira të vazhdueshme.

Ndërkohë që tensionet sa vijnë e përshkallëzohen, lideri i opozitës, Henrique Capriles, ka bërë thirrje për një marshim të ri, paqësor, anti-qeveritar, ditën e shtunë.

Së fundi ka pasur raportime për përplasje të tjera në shtetin e Tachira-s dhe në disa rajone të kryeqytetit Karakas.

Në konferencën për shtyp, Capriles refuzoi dhunën dhe tha se ishte i gatshëm për dialog, por theksoi se qeveria nuk është e gatshme ta dëgjojë opozitën.

“Në këto orë të turbullta, i bëjmë thirrje studentëve dhe atyre që janë tashmë nëpër rrugë, të mos bien në kurthin e dhunës”, u shpreh Capriles, përpara se të tregonte disa video, që sipas tij përmbajnë prova të abuzimit nga forcat e sigurisë.

Në televizionin kombëtar, presidenti Maduro akuzoi kundërshtarët e tij se po promovojnë dhunën. Ai u zotua se do të ndërmerrte masa ndaj autorëve të sulmeve në metronë e Karakasit, të cilët janë kapur edhe nga videot sipas tij, duke i dërguar provat në gjykatë.

Maduro sulmoi gjithashtu edhe mbulimin që po i bëhet protestave nga organizatat e huaja të lajmeve. “Mjaft më me propagandë lufte. Nuk do të pranoj të tillë propagandë kundër Venezuelës. Nëse ata nuk do të korrigjojnë vetveten, atëherë të dalin jashtë Venezuelës. Po, CNN të dalë jashtë”, tha ai.

Një zëdhënës i rrjetit amerikan, i cili transmeton vetëm nëpërmjet rrjeteve kabllore në Venezuelë, tha për BBC se nuk mund të komentojnë momentalisht deklaratën e Maduros.

Top Channel