“Cortana”, asistentja virtuale e Windows Phone

21/02/2014 00:00

Quhet “Cortana”…asistentja virtuale për të gjithë përdoruesit e Windows Phone. Blogu “The Verge” publikon lajmin për projektin më të ri të Microsoft për sistemin e tij operativ të telefonave inteligjentë.

Emri i asistentes vokale është frymëzuar nga video-loja Halo. “Cortana” është një miksim mes Siri-t të Apple dhe “Google Now” të sistemeve Android.

Sipas blogut “Cortana” do të dalë bashkë me përditësimin e sistemit nga Windows Phone 8 në Windows Phone 8.1. Përshkrime të tjera thonë se “Cortana” do të zëvendësojë funksionin e kërkimit të integruar në Bing duke u shndërruar në asistente virtuale nën kombinimin e elementeve vokalë të “Siri” me ato kontekstualë të “Google Now”.

Nëse gjithcka është e vërtetë, brenda pak javëve, përdoruesit e Windows Phone, pas përditësimit në Windows Phone 8.1 do të pajisen me një ikonë rrethore në ekran, që do të ‘gjallërohet’ kur i duhet të flasë apo të mendojë e më pas do të kthejë përgjigje në bazë të të dhënave që mbërrijnë nga motori i kërkimit Bing.

Objektivi është dhënia e përdoruesve të informacioneve të sakta, pak a shumë sic bën “Google Now” në bazë të axhendës apo pozicionit gjeografik të përdoruesit.

Top Channel