Gjendja në Ukrainë, në Siri si dhe çështje të tjera të zgjerimit të Aleancës së Atlantikut Verior kanë qenë në qendër të takimit që ka pasur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen me kryeministrin grek Andonis Samaras në Athinë.

Të dy politikanët kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjakderdhjen në Kiev dhe numrin e madh të viktimave.

“Unë e dënoj gjakderdhjen e egër në Ukrainë. I bëj thirrje të gjitha palëve për të ndaluar këtë spirale tragjike të dhunës dhe qeveria ukrainase ka një përgjegjësi të veçantë për të siguruar që forcat e armatosura nuk do të përfshihen në këtë krizë politike”, ka deklaruar Rasmussen, i cili ka paralajmëruar sanksione.

“Forcat speciale ushtarake të Ukrainës nuk duhet të kthehen kundër popullit të Ukrainës. Kjo do të ketë pasoja të rënda për partneritetin tonë me Ukrainën. E vetmja mënyrë për të ecur përpara është dialogu, kështu që ne i mirëpresim të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore”, ka theksuar shefi i NATO-s.

Nga ana e tij, kreyministri Samaras ka theksuar se zhvillimet dramatike në Ukrainë tregojnë se sa kuptim të madh ka një organizëm që ofron siguri dhe stabilitet, siç është NATO. Gjithashtu, në takim janë prekur çështjet e luftës në Siri dhe në përgjithësi situata në rajonin e Lindjes së Mesme.

Përsa i përket zgjerimit me anëtarë të rinj midis tyre dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Samaras ka deklaruar se çdo vend kandidat për anëtarësim në NATO vlerësohet në veçanti.

Rasmussen ndodhet në Athinë në një vizitë dytore në kuadrin e një samiti të ministrave të Mbrojtjes të BE-së, të cilët do të diskutojnë zhvillimet e operacioneve paqësore ushtarake të Unionit, duke i dhënë një rëndësi atyre që janë planifikuar në Republikën e Afrikës Qendrore, si dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e vendimeve të samitit të lartë të zhvilluar në dhjetorin e kaluar.

Top Channel