Armët kimike, Siria plan të ri 100-ditorsh

22/02/2014 00:00

Siria ka dorëzuar një plan të ri 100-ditorsh për largimin e armëve kimike të saj, pasi dështoi të përmbushte planin fillestar brenda afatit kohor të 5 Shkurtit, por misioni ndërkombëtar që mbikqyr operacionin beson se gjithçka duhet të përfundojë në një afat kohor më të shkurtër, bëjnë të ditur diplomatët.

Komiteti ekzekutiv i Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) u mblodh të premten në Hagë për të diskutuar misionin e përbashkët mes OPCW-së dhe OKB-së, ndërkohë që irritimi i ndërkombëtarëve është rritur për dështimin e Damaskut më përmbushjen e angazhimeve të tij. Raportimi vjen nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qeveria siriane, e përfshirë në një luftë afro 3-vjeçare me rebelët, që kërkojnë rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad, dështoi të respektonte afatin e 5 Shkurtit për largimin e substancave kimike dhe prekursorëve të deklaruar, jashtë vendit.

Afati përfundimtar bazuar mbi planin e OPCW-së, për shkatërrimin e të gjithë materialeve kimike të deklaruara të Sirisë, vazhdon të jetë 30 Qershori.

“Plani 100-ditor sirian për heqjen e arsenalit kimik, për të cilin sapo jemi njoftuar, nuk është i përshtatshëm”, tha për OPCW, Philip Hall, kreu i Departamentit kundër Armëve Kimike në “Foreign Office”, sipas një kopjeje të deklaratës së tij.

“Tashmë na duhet të nxisim autoritetet siriane të pranojnë propozimet e dorëzuara nga Grupi i Planifikimit Operacional, që parashikon largimin në një periudhë kohore edhe më të shkurtër, pa kompromentuar sigurinë”.

Një diplomat i lartë i OKB-së, duke folur në kushtet e anonimitetit, tha se misioni ndërkombëtar beson se operacioni mund të përfundojë përpara fundit të Marsit, duke shtuar se propozimi i Sirisë për në fund të Majit nuk lejon kohën e mjaftueshme për shkatërrimin e arsenalit brenda fundit të Qershorit.

OPCW, nga ana e saj, refuzoi të komentonte propozimin e Sirisë.

Top Channel