Policia njoftoi se ka arrestuar autorin e dyshuar të ekzekutimit dhe
djegies së dy të rinjve dy ditë më parë në Durrës, 32-vjeçarin Odise
Verbofshi.

Ndalimi i tij u bë në afërsi të fshatit Poloskë, në rrethin e Devollit, pranë kufirit me Greqinë në përpjekje për të kaluar në shtetin fqinj, ndërsa një ditë më parë autoritetet e shpallën person në kërkim për ngjarjen e rëndë.

Burime nga komisariati i Devollit bënë me dije se i arrestuari kishte shkuar tek vjehrrit e vëllait të tij dhe është vënë në prangat e policisë pikërisht në banesën e tyre. Pas arrestimit Odise Verbofshi do të transportohet në qytetin e Durrësit ku edhe kreu krimin tronditës.

Sipas policisë, menjëherë pas arrestimit të tij u sinjalizuan edhe blutë e qytetit bregdetar, të cilët kanë marrë masat për transportimin e tij dhe për të vijuar më tej proçedurat përkatëse. Për disa orë i arrestuari Odise Verbofshi është mbajtur nën masa të rrepta sigurie në komisariatin e Devollit.

Ndërkohë, të premten policia arrestoi nën akuzën e bashkëpunimit për asgjesimin e kufomave 20-vjecarin Gazep Pili, familjar i bashkëshortes së Verbofshit. Vrasja e të rinjve Shaban Babasi, 27 vjeç, dhe Albert Kasalla, 32 vjeç, të dy nga Fshat Fushë-Krujë, u konstatua natën e së enjtes pas marrjes njoftim për djegien e një automjeti në zonën e ish-Kënetës, pranë ish-vaskave të peshkut.

Pas shuarjes së zjarrit nga shërbimi zjarrfikës, brenda automjetit tip Benz u konstatuan në bagazhin dhe sediljen e pasme të tij, trupat e pajetë. Lidhur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes u shoqëruan në polici 36 persona duke arritur në identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Odise Verbofshi banor i lagjes nr.14, Shkozet Durrës, i padënuar më parë.

Nga struktura për Krimet e Rënda Durrës rezultoi se dy të rinjtë ishin vrarë paraprakisht me pistoletë në shtëpinë e Verbofshit dhe më pas ishin transportuar për t’u djegur me qëllim zhdukjen e kufomave dhe provave. Nga hetimet rezulton se motiv i këtij krimi është prishja e pazarit lidhur me lëndën narkotike kanabis sativa, 74 kg të së cilës u gjetën dhe sekuestruan në banesën e të dyshuarit.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 2 pistoleta dhe 1 krëhër me fishekë. Ndaj Verbofshit rëndojnë akuzat e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.

Verbofshi pranon krimin e dyfishtë
Jam penduar për vrasjet, nuk doja që të ndodhnin

Odise Verboshi, i riu i arrestuar pasi dyshohej për vrasjen dhe më pas djegien e trupave të dy personave në Durrës, ka pranuar krimin e dyfishtë.

Burime nga Prokuroria e qarkut Korçë bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, Verboshi ka pohuar autorësinë e vrasjeve dhe ka dhënë disa detaje.

“Erdha në Poloskë sepse kisha frikë nga hakmarrja. Prej këtej doja të kaloja në territorin grek”, raportohet të ketë thënë Verboshi.

Gjithashtu, ai ka shprehur pendesën e tij për krimin e rëndë të bërë vetëm dy ditë më parë. “Jam penduar për vrasjet. Nuk doja të ndodhte ai krim”, citojnë burimet 32-vjeçarin.

Top Channel