Meksikë, arrestohet “El Chapo” i drogës

22/02/2014 00:00

Policia meksikane deklaron se ka arrestuar baronin më të madh dhe më të kërkuar të drogës në vend dhe botë, Joaquin Guzman, i njohur ndryshe me pseudonimet “El Chapo” ose “Shkurtabiqi”.

Guzman ka qenë për një kohë relativisht të gjatë në krye të kartelit famëkeq të Sinaloas, që trafikon sasi shumë të mëdha kokaine në Shtetet e Bashkuara.

Ai ka qenë në arrati që prej vitit 2001, kur u arratis nga një burg i sigurisë së lartë i Guatemalës, i fshehur në një kosh rrobash dhe natyrisht i ndihmuar nga disa bashkëpunëtorë.

Sipas raportimeve të mediave të ndryshme, Guzman është arrestuar në shtetin e Sinaloas, falë një operacioni të marinës meksikane, e ndihmuar nga agjencia amerikane DEA.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që do të ofronte informacione që do të çonin në arrestimin e tij.

Ndaj tij janë ngritur një sërë akuzash federale dhe drejtësia amerikane ka bërë të qartë ambicjen e saj për ekstradimin e tij nëse do të kapej. Bashkëpunëtorë të ndryshëm të Guzman janë arrestuar në dy vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë.

Revista prestigjoze “Forbes” e ka renditur atë mes njerëzve më të pasur të planetit, me një pasuri rreth 1 miliard dollarë. Karteli i drejtuar prej Guzman është përgjegjës për mijëra vrasje dhe për një ndikim të madh në luftën e drogës që ka përfshirë Meksikën.

Vitin e kaluar ai u shpall armiku publik numër 1 nga autoritetet e Çikagos, ndërkohë që tentakulat e organizatës së tij përveçse në SHBA së fundmi kishin arritur Evropën dhe Australinë e largët. 

“Është me rëndësi që ai të ekstradohet në Amerikë, sepse po qëndroi në burgjet meksikane, ose do të arratiset sërish, ose do të drejtojë biznesin nga qelia”, e komentoi arrestimin një zyrtar nga Uashingtoni. 

Top Channel