Të paktën 1 ton hashash është sekuestruar mbrëmjen e së shtunës nga policia në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave lënda narkotike ishte fshehur në një kamion, që edhe po e transportonte atë.

Sipas burimeve, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, blutë e qytetit të Gjirokastrës ekzekutuan operacionin e koduar me emrin “Ujëvara”.

Burimet shtojnë më tej se gjatë operacionit është arrestuar drejtuesi i kamionit, shtetasi Ardian Serezi, të cilit i janë bllokuar rrugët e arratisë. Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim shtetasit S.I. dhe I.E., organizatorët e transportit të drogës, dhe ka sekuestruar dy automjete që transportuan drogën përmes rrugëve dytësore Golem-Progonat-Tepelenë. Policia ka bërë të ditur se droga do të magazinohej në Tiranë, për t’u nisur më pas në Itali.

Në Shqipëri është prodhuar kohët e fundit një sasi e madhe droge. Fakti që vetëm në dy vitet e fundit llogaritet që vetëm policia shqiptare ka bllokuar 50 tonë kanabis dhe 30 tonë fqinjët, flasin për shifra të frikshme dhe alarmante për atë që prodhohet në vend.

Ndërkohë që çdo raport i Departamentit të Shtetit në vitet e fundit dhe po ashtu ato të Bashkimit Europian kanë patur vërejtje të rënda në këtë fushë.

Policia shqiptare ka arritur që vetëm muajin e fundit të bllokojë rreth 4 tonë drogë, ndërsa fqinjët rreth 1 ton, duke dhënë sërish alarmin se në depot e trafikantëve shqiptarë ka rezerva të kosniderueshme kanabis sativa.

Shqipëria ka ecur me ritme të larta në kapjen e sasive të kësaj lande narkotike. Në 2011-n u sekuestruan 11 tonelata drogë, një vit më vonë 21 ton kanabis, në 2013 rreth 25 tonë dhe vetëm në janar të 2014-s rreth 4 tonë.

Por nuk dihet nëse kjo sasi është tregues i ashpërsimit të luftës ndaj kultivimit dhe tregtimit, apo e rritjes së sasisë së prodhimit në Shqipëri.

Ministria e Brendshme nuk i pranon akuzat e kohëve të fundit nga opozita, ndërsa deklaron se droga e mbjellë në verën e shkuar dhe që nuk u kontrollua nga policia ka sjellë probleme më të mëdha gjatë këtij viti.

Synimi i saj mbetet që gjatë 2014 të ketë të mbjella më të pakta, duke synuar shkatërrimin e parcelave. Gjithësesi, në analizën që bën policia, prodhuesi kryesor në vend vazhdon të jetë Lazarati.

Pavarësisht se të gjitha raportet e ndërkombetarëve dhe të agjencive të huaja policore e përmendin Lazaratin si një problem akut, sërish policia, të paktën publikisht, nuk ka një plan për të ndërhyrë. Shpesh policia shqiptare e ka patur të pamundur të bllokoje edhe skafet e trafikantëve gjatë ndjekjes në det.

Për këtë asrye ministri i Brendshëm u bëri thirrje një muaj më parë homologëve grekë dhe italianë për të ndihmuar në operacione të përbashketa, përmes krijimit të atij që u quajt “trekëndëshi i sigurisë detare”.

Top Channel