Pas rreth tre javësh negociata, partitë shqiptare në Mal të Zi kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të vazhduar të kenë drejtimin e komunës Ulqin.

Nga tre lista shqiptare, që konkuruan në zgjedhje, marrëveshja është firmosur vetëm nga dy prej tyre, ndërsa shumica e nevojshme është krijuar vetëm përmes mbështetjes së një partie të tretë malazeze, që ka pasur në krye të listës një shqiptar.

E vështirë të parashikohet nëse ky koalicion do të jetë i qëndrueshëm, sa kohë edhe para këtyre zgjedhjeve shumica kontrollohej nga të njëjtat forca shqiptare, që më pas u ndanë.

***

Komuna Ulqin do të vazhdojë të ketë drejtimin e një kryetari nga forcat shqiptare. Por, a ishte kjo fitorja që pritej? A zgjidh kjo problemet e Ulqinit? A bën kjo të harrohet se, pavarësisht gjithçkaje, parti e parë doli ajo e Gjukanoviç? Në fakt, problemet e Ulqinit janë shumë herë më të mëdha e kanë të bëjnë me një përçarje, që vazhdon të vërë përpara njëri-tjetrit shqiptarët. Kjo është historia e një përplasjeje, që do të mbahet mend gjatë, si gara e shqiptarëve për të falur Ulqinin.

Pas negociatash të shumta shqiptarët mundën të siguronin shumicën e nevojshme të këshilltarëve për të marrë, të paktën, kryetarin e Komunës. Edhe pse zgjedhjet u fituan nga Partia Demokratike e Socialistëve të Malit të Zi, e drejtuar nga Milo Gjukanoviç.

Shumicën, partitë shqiptare e fituan vetëm falë 2 këshilltarëve të Malit të Zi Pozitiv, një parti jo shqiptare që udhëhiqej nga një shqiptar, Dritan Abazoviç, e kjo pasi partia e tretë e shqiptarëve nuk pranoi të bashkohej me dy të parat.

Kreu i ri i komunës do të jetë kryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka. “Jam optimist që do t’i dalim në ballë këtyre sfidave dhe Ulqini të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ashtu siç e meriton”, tha Gjeka.

Pavarësisht dukjes si një histori me fund të mirë, në brendësi gjërat nuk janë aq të thjeshta, pasi konfliktet e shumta të mëparshme premtojnë për një të ardhme jo fort të sigurt.

“Nga Mali i Zi, afro 50% e shqiptarëve kanë shkuar në diasporë dhe nuk janë më të pranishëm, për arsye se ekonomia këtu nuk është zhvilluar në atë nivel siç ka qenë në vitet ’90, kur kemi qenë nën monizëm”, tha Nazif Cungu, kryetar i Forcës së Re Demokratike.

“Edhe nëse nuk do të ishte shumë tragjike, do të ishte shumë qesharake, ku opozita nuk funksionon dhe ku gjithsekush kërkon si të jetë më afër qeverisë së Malit të Zi, e cila nga ana tjetër nuk sjell asgjë të mirë për qytetarët e Ulqinit”, tha Dritan Abazoviç, nga Partia Mali i Zi Pozitiv.

“Në këtë qytet na njofin të gjithë se kush janë shqiptarë sot, dhe kush janë shqiptarë prej shekujsh, kush ka qenë vilë nacionale prej shekujsh, e kush është bërë sipas kohës”, është shprehur Mehmet Zenka, kryetar i Unionit Demokratik Shqiptar.

Të dielën në mbrëmje, në 20:05, Exclusive do të shpluhurosë rrënjët e kësaj përçarjeje, pozicionet 24-vjeçare të partive politike shqiptare, kulisat, debatet, marrëdhënia me elektoratin dhe gjithçka tjetër ka krijuar situatën e sotme. Kontradiktat në deklarata dhe pozicionet jo të qëndrueshme që kanë pasur, në dukje, vetëm një synim: të qënit sa më afër pushtetit, qoftë ai lokal, apo qëndror.

Top Channel