Përtëritja e muskujve, realitet i mundur

24/02/2014 00:00

Kush nuk e dëshiron rininë e përjetshme? Megjithatë, pavarësisht se kjo gjë dëshirohet nga shumica e njerëzve, shkenca nuk ka qenë në gjendje që të gjejë  një zgjidhje reale, por gjithsesi ajo po  përgatitet. Universiteti i Torontos, në fakt, duket se ka zbuluar një metodë të re për të rivendosur fuqinë e muskujve skeletikë të dëmtuar.

Ky është një problem tipik që ndodh me avancimin e moshës. Ky sistem muskulor është konsideruar si një nga më të rëndësishmit, duke u mbështetur në faktin se këta muskuj përdoren pothuajse gjithmonë kur qëndrojmë ulur, në këmbë dhe madje edhe gjatë kohës kur hamë. Por për fat të keq, për shkak të plakjes, funksioni i muskujve zvogëlohet çdo ditë. “Pas 75 vitesh humbet 15 për qind në vit e masës muskulore, një prirje që është e pakthyeshme”, thotë Dr.Gilbert, profesor asistent në Institutin e Inxhinierisë Biomjekësore.

Hulumtimi, i projektuar nga një studim post doktorature në Laboratorin e Baxter të Universitetit të Stanfordit, ka për qëllim përdorimin e qelizave burimore për t’u dhënë mundësinë, madje edhe të moshuarve që të jetojnë më të qetë. Autorët kryesorë, profesor Ben Cosgrove dhe profesoresha Helen Blau, arritën të përcaktonin se një pjesë e vogël e qelizave burimore, për shkak të plakjes, ndryshojnë një proteinë që pengon aftësinë e rigjenerimin dhe të rritjes së qelizave të reja burimore. “Por në qoftë se ato qeliza trajtohen jashtë trupit me një medikament që parandalon modifikimin e proteinës, në kombinim me kultivimin e të njëjtave qelizave në diçka të butë të përngjashme me indet e buta të skeletit, si nje hidroxhel biomaterial, kombinimi do t’i lejonte qelizave të plakura që të rriteshin dhe të bënin më shumë kopje të vetvetes”, thotë Gilbert.

Pas ndryshimit të kulturës qelizore siç përshkruhet nga Gilbert, hulumtuesit i kanë transferuar në indet e dëmtuara me rezultate të shkëlqyera. Qelizat, në fakt, ishin ripërtërirë dhe në këtë mënyrë mund t’u jepnin muskujve të njëjtën forcë si shumë vite më parë. “Tani ne kemi treguar se qelizat burimore të muskujve gradualisht humbasin funksionin e tyre si qelizat embrionale gjatë plakjes. Ky trajtim nuk kthen orën prapa në qelizat burimore jofunksionale. Përkundrazi, ajo stimulon qelizat burimore nga indet e muskujve të vjetër (por ende funksionalë) për të filluar përsëri ndarjen dhe vetërinovimin”, shpjegon Cosgrove. Megjithatë, sipas Profesor Blau, “Një gjë e rëndësishme që duhet të theksohet është se kjo nuk është një ilaç për plakjen në përgjithësi. Edhe pse, për arsye të dukshme, ne realisht do të donim që të ishte kështu.

Bëhet fjalë për një përtëritje të lokalizuar me qëllim për të “riparuar” muskujt e ijeve, të syve, të fytit dhe kështu me radhë”. Njerëzit të cilët kanë probleme të ndryshme me muskujt skeletorë të vendosur rreth artikulacioneve, shpesh të dëmtuara për shkak të operacioneve kirurgjike. “Edhe një transplant i vogël i lokalizuar mund të ketë një ndikim të madh në cilësinë e jetës. Një avantazh i madh është se, qelizat që do të vendoseshin në muskujt e personit, nuk do të kishin problem me përgjigjen imune”, përfundon profesoresha Blau. Sipas Gilbert, fusha që po eksplorojnë është shumë emocionuese.

Sigurisht Universiteti i Torontos do të kryejë kërkime të mëtejshme për t’i ofruar shpresë dhe rini shumë njerëzve. Gjithashtu edhe sepse në atë universitet ka studiues klinikë shumë të pasionuar që janë të interesuar për të rivendosur fuqinë e humbur me plakjen dhe sëmundjet. Ndërsa ne shpresojmë që ky pasion të jetë forca lëvizëse që do t’i çojë kërkuesit në zbulime të reja në dobi të komunitetit. Studimi është publikuar në “Nature Medicine”.

Top Channel